Live

Kurti: Buxheti i 2025-tës është 3.6 miliardë euro, 9% më i lartë se i vitit të kaluar

21:13 / 10 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Nesër nga ora 10:00 do të mbahet seanca e re në Kuvendin e Kosovës ku pika e vetme e diskutimit do të jetë ajo e buxhetit të vitit 2025.

Për këtë seancë kryeministri Albin Kurti ka folur nga Frankfurti i Gjermanisë në një tubim që zhvilloi sot atje me mërgimtarët.

Ai ka thënë se buxheti i 2025-tës do të jetë 3.6 miliardë apo 9% më i madh se i vitit të kaluar.

“Ne do të kthehemi me zv.kryeministren Donika sot në Kosovë për shkak se e kemi seancën plenare për projektbuxhetin 2025 në Republikën tonë. Ky buxhet është 3.6 miliardë euro, është 9% më i lartë se buxheti i vitit të kaluar dhe krahasauar ta zëmë me vitin parapandemik 2019 të hyrat buxhetore që janë 3.3 milardë janë 74% më të larta”, ka thënë Kurti, shkruan Reporteri.net.

Ai tha se Qeveria që ai udhëheq nuk vjedh dhe nuk e keqpërdor buxhetin e shtetit.

“Në Kosovë qytetarët po paguajnë tatime, në Kosovë qytetarët e respektojnë ligjin, dhe unë besoj që kjo ka ndodhur për dy arsye kryesore: e para për shkak se qytetarët e Republikës tonë kur shohin se Qeveria nuk vjedh, kur shohin se nuk keqpërdoret buxheti, nuk zhvatën pasuritë e Kosovës, atëherë edhe kontribuojnë më shumë, janë më të gatshme që t’i paguajnë tatimet, të kontribuojnë për interesin e përgjithshëm dhe më pastaj të përfitojë e gjithë popullësia. Kjo është arsyeja e parë pse të hyrat buxhetore janë rritur kaq shumë në vendin tonë. E si vazhdimësi edhe biznesi privat, kur e sheh që në sektorin publik nuk ka korrupsion e keqpërdorime gjithashtu edhe ata po e heqin atë librin rezervë financiar të kontabilitetit të bizneseve të tyre. Në Kosovë për shumë vjet, shumë shitore e ndërmarrje të ndryshme kanë punuar me dy parë libra, një libër e kanë pasur për Administratën Tatimore të Kosovës e për Inspektoratin e Tregut të Punës, e një libër e kanë pas për te shtëpia që ka qenë libër i vërtetë, por tash ska më dy libra, i njejti libër si për familjen ashtu si për shtetin. Dhe faktori i dytë i rritjes së gjithëmbarshme ekonomike dhe rrjedhimisht edhe i të hyrave buxhetore është fakti që kur popullësia ka optimizëm, ka shpresë, ajo më shumë shpenzon sesa kursen, gjë që është mirë edhe për jetën e familjeve, por edhe për ekonominë e vendit”, ka deklaruar Kurti, shkruan Reporteri.net.

Kujtojmë se partitë opozitare, PDK, LDK e AAK kanë thënë se nuk do ta votojnë buxhetin.

Grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri javën e kaluar ka deklaruar se nuk do ta votojnë buxhetin, duke thënë se Kosova mundet më mirë, dhe se buxhetet nga qeveria aktuale s’kanë lënë kurrfarë gjurmë.

“Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u caktua që ditën e hënë me 11 nëntor, të sillet për miratim buxheti për vitin 2025. Buxhetet e miratuara ndër vite nga qeveria aktuale, nuk kanë lënë kurrfarë gjurme, as në zhvillim, as në mirëqenie as në ekonomi. Duke qenë plotësisht të bindur se Kosova mundet më mirë, ne nuk do ta votojmë këtë buxhet. Shpresën, mirëqenien dhe angazhimin për ta bërë më mirë Kosovën, do ta reflektojë në buxhetin për vitin e ardhshëm, Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, me kryeministër Bedri Hamzën”, ka deklaruar  Tahiri

Krahas, PDK-së, pas mbledhjes së Kryesisë javën e kaluar, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi kishte deklaruar se kjo parti nuk do ta votojë buxhetin pasi sipas tij, ai ka probleme ligjore dhe kushtetuese.

Buxhetin për vitin 2025 s’do ta votojë as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kështu ka njoftuar shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...