Live

Kurti fiksohet me votimin e fshehtë: Ta provojmë, o fiton Albulena, o ne e sjellim një emër tjetër

12:10 / 30 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se është i gatshëm për konsultime dhe kompromis në funksion të konstituimit të Kuvendit, por kritikoi opozitën për refuzimin e votimit të fshehtë si mjet për ta zgjidhur bllokadën aktuale.

Kurti tha se ka ofruar kompromise konkrete.

“Unë gjithmonë jam i gatshëm për takime, për konsultime konstruktive, për bashkëpunim në mirëbesim dhe gjithashtu për konsensus dhe kompromise. Kam ofruar dy kompromise. I pari është ai që t’i delegojnë përfaqësuesit partitë politike dhe me atë rast nëse nuk e duan votimin e fshehtë, ta rrëzojmë atë komision me votë, sepse pa votë nuk rrëzohet, me bojkot nuk shkohet përpara…E dyta…Le ta provojmë votimin e fshehtë: o fiton Albulena, o ne e sjellim një emër tjetër,” deklaroi Kurti.

Ai shprehu habi për qëndrimin e partive opozitare ndaj votimit të fshehtë, duke rikujtuar se edhe zgjedhjet e 9 shkurtit janë mbajtur përmes një procesi të tillë.

“Nuk e kuptoj pse gjithë kjo rezistencë e partive opozitare kundër votimit të fshehtë, kur dihet që më 9 shkurt qytetarët e Kosovës kanë votuar me votë të fshehtë, të lirë e demokratike dhe e kanë bërë VV-në fituese. Ne i kemi 48 deputetë, PDK 24, LDK 20 – pra PDK plus LDK nuk bëjnë sa VV-ja. Ky është fakt i jetës, fakt demokratik me të cilin duhet të pajtohemi”, tha Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua