Live

Kurti ia kërkoi votën edhe Hasanit: E refuzova, dërgoi emisarët e tij

18:20 / 19 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka zbuluar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka kërkuar personalisht votën përmes emisarëve, në përpjekje për të siguruar mbështetje për konstituimin e Kuvendit dhe votimin e Albulena Haxhiu si kryeparlamentare.

Sipas Hasanit, ai ka refuzuar këtë kërkesë, duke e cilësuar Kurtin të padenjë për votën e tij.

“Më ka çuar ftesë është mua personalisht. Më kanë thënë kërkojmë votën tënde… Përmes emisarëve që i ka pasur. Janë ardhur kanë thënë ke një kërkese prej kryeministrit me ardh me bisedu, kërkoj mbështetjen tënde me votu. I kam thënë jo. Nuk e meriton. Për shkak se ka bërë një veprim që unë drejtpërdrejtë ia kamë kërkuar për të shkuar në vizitë në Gjykatën Speciale, ka thënë do të shkojmë dhe nuk ka shkuar”, ka thënë Hasani në FIVE të Dukagjinit.

Krahas kësaj, në vazhdim, Hasani reagoi edhe ndaj gjuhës së përdorur nga Kurti, i cili së fundmi ka quajtur deputetët ish-opozitarë “nomadë”, duke i akuzuar për bllokim të votimit në Kuvend.

Sipas Hasanit, kjo është një shprehje e rëndë dhe fyese që nuk i shërben bashkëpunimit institucional.

“Mendoj që është një shprehje jo e drejtë e përdorur nga ish-kryeministri. Kur në anën tjetër kërkon të votohet, në anën tjetër i quan njerëz pa shtëpi. Njerëz që nuk kanë një vend. Dhe t’i thuash deputetëve nuk ki shtëpi, jeni endacakë, në kuptimin jeni rrugaçë është ndjenjë e rëndë. Është fyese. Dhe t’i fyesh deputetët dhe në njëjtën kohë t’i bësh kërkesë ta votojnë kjo është jashtë logjikës të menduarit, për një zhvillim ose për të ardhmen e atij pushteti që pretendon. Kështu që veprimet e tilla tregojnë, që unë nuk iu dua juve, unë e du mbështetjen e juaj por nuk iu dua juve. Dhe jo është e paarsyeshme. Prandaj nuk i ka votat”, ka thënë Hasani

Shpërndaje në

U Kopjua