Live

Kurti: Lavdi atyre që u vranë nga Serbia pushtuese, në rrugëtimin tonë për lirinë e Kosovës

12:37 / 24 Mars 2024

Nga Kosova Live

Në 25 vjetorin e fillimit të boombardimeve të NATO-s, kryeministri Kurti ka përkujtuar tre veprimtarë të njohur shqiptarë Agim Hajrizi, Latif Berisha dhe Bajram Kelmedin të cilët u vranë nga serbët, shkruan Reporteri.net.

Në një postim në Facebook, Kurti thotë se vepra e tyre nuk shlyhet prej kujtesës.

“Lavdi të gjithë atyre që u vranë nga Serbia pushtuese, në rrugëtimin tonë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar mes tjerash Kurti.

Postimi i plotë:

Teksa aeroplanët e NATO-s nga qielli filluan bombardimin e caqeve të forcave serbe, si përgjigje ndaj krimeve të Serbisë së Millosheviqit në Kosovë, kriminelët serb vranë tre veprimtarë të njohur shqiptarë. Në Mitrovicë vranë kryesindikalistin Agim Hajrizi dhe politikanin Latif Berisha, e në Prishtinë vranë avokatin Bajram Kelmendi.

Agim Hajrizi, sindikalisti i paepur, Kryetari i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kryetar i organizimit komunal në Mitrovicë në vitet e ’90-ta, u vra në shtëpinë e tij, bashkë me nënën Nazmije dhe të birin 11 vjeçar, Ilirin.

Latif Berisha, politikan e intelektual, kryetar i LDK-së në Mitrovicë, profesor universitar i historisë së letërsisë shqipe e autor i shumë studimeve, udhëheqës i pajtimit të gjaqeve, u vra nga forcat serbe në prag të shtëpisë së tij në Mitrovicë, në natën e 24 marsit.

Bajram Kelmendi, juristi i shquar dhe avokat aktiv në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, u rrëmbye nga shtëpia bashkë me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin, nga policët serbë që i hynë dhunshëm në shtëpi në natën e 24 marsit 1999. Më 26 mars, ata u gjetën të vrarë. 

Vepra e tyre nuk shlyhet prej kujtesës. E përkujtojmë dhe e ruajmë historinë e aktivizmit intelektual dhe angazhimit politik të verpimtarëve tonë ndër breza.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Agim Hajrizin, Latif Berishën dhe Bajram Kelmendin!
Lavdi të gjithë atyre që u vranë nga Serbia pushtuese, në rrugëtimin tonë për lirinë e Kosovës!

Shpërndaje në

U Kopjua