Live

Kurti më 2017 kundërshtonte Veselin për kryeparlamentar: Ç’u bë kjo punë që veç ky njeri qenka aty?

15:16 / 14 Maj 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më 2017 nuk pajtohej me propozimin që asokohe koalicioni parazgjedhor PAN (PDK, AAK dhe NISMA), e kishte bërë për kryetar të Kuvendit.

Kadri Veseli, si drejtues i PDK-së, ishte emri që koalicioni fitues i zgjedhjeve të atij viti e kishte propozuar për të drejtuar organin legjislativ.

Por, në një intervistë në Klan Kosova, lideri i Vetëvendosjes kur fliste për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, jepte alternativën që nëse një kandidat dështon, të propozohet tjetri, gjë të cilën tani është pikërisht ai që nuk po e bën, duke insistuar tash e 15 herë në deputeten Albulena Haxhiu.

“Duke që javën e ardhshme do të certifikohet rezultati, [presidenti i vendit, Hashim] Thaçi do ta ketë një muaj që të caktojë datën e seancës inauguruese të legjislaturës së gjashtë, do të bëhet betimi aty dhe pas kësaj emërohet nga PAN-i kandidati i tyre për kryetar të Kuvendit. Ne në Kryesi të LVV-së nuk kemi mbajtur një mbledhje për qëndrimin që do ta kemi, por çka mund të them tash është që ne nuk mendojmë që duhet të jetë zotëri Veseli kandidat. Thjesht, nga ajo çfarë ka bërë në legjislaturën e pestë, prej fjalëve që u ka thënë deputetëve tanë, deri te ajo ‘keni kujdes se po e vrani veten’, nuk është dëshmuar si person i cili do të duhej të ishte kryetar i Kuvendit”, është shprehur Kurti në këtë intervistë.

Më tej, ai tha se nëse PAN-i e kandidon Veselin, grupi i tij parlamentar do të votojnë kundër tij, teksa thoshte se beson që në PAN ka emra tjerë më adekuatë sesa Veseli.

Nëse PAN-i e kandidon, ne do të votojmë kundër. Ne pranojmë që PAN-i do ta kandidojë, është një interpretim i tillë i Gjykatës Kushtetuese nga vera e 2014. Nuk jam pajtuar me këtë vendim, kam menduar se është i padrejtë, sot e kësaj dite mendoj se është i padrejtë. Republika jonë është parlamentare, dhe shumica e tërësisë duhet të jetë mbi të parin në garë. Sido që të jetë, jemi ku jemi, unë nuk besoj që PAN-i nuk ka ndonjë deputet tjetër i cili është shumë më adekuat sesa zotëri Veseli”.

Në këtë intervistë, Kurti pyeste se pse duhet që vetëm Veseli të jetë kandidat, dhe askush tjetër.

Po, pse do të duhej që kryetar i Kuvendit të jetë ai ose askush tjetër? Sa deputetë i ka? Nuk e di pse ai duhet ta lidhë fatin me pozitën e kryetarit të Kuvendit. Është e drejtë që nëse nuk kalon i pari, të propozohet sërish, apo jo? Të shohim dikë tjetër. Mendoj që kjo është njëfarë lloj mosbesimi në PDK. Besoj që PAN-i dhe PDK-ja kanë njerëz tjerë përpos Kadri Veselit. Ç’u bë kjo punë që tash veç ky njeri qenka aty? Ju e dini shumë mirë se me çfarë vote me shumicë dërmuese u pat zgjedhur Jakup Krasniqi kryetar i Kuvendit. Unë besoj që ka tash në PAN edhe të tjerë të cilët do të mund të ishin kryetar të kuvendit”, thoshte Kurti më 2017.

Për më tepër, kreu i LVV-së atëherë ishte i mendimit që kryetar i Kuvendit do të duhej të ishte dikush që është gjithëpërfshirës, e jo ndonjë figurë, siç shprehej ai, “kontroverse e përçarëse”.

“Nuk do të kishte qenë keq që kryetar i Kuvendit të ishte dikush gjithëpërfshirës, pra të mos jetë dikush që zgjidhet me 60 vota e gjysmë. Dmth, ta kemi një kryetar të Kuvendit i cili mbase është edhe më i votuar sesa presidenti. Që të jetë një shumicë më gjithëpërfshirëse, jo ajo shumica e zorit për kryetar të Kuvendit, sepse kryetari i Kuvendit ka shumë punë me opozitën dhe nuk mendoj që duhet të jetë ndonjë figurë kontroverse, përçarëse, duhet të jetë dikush më unifikues”, deklaronte kryetar i LVV-së, Albin Kurti më 2017.

Zgjedhjet parlamentare në vend u mbajtën më 9 shkurt 2025. Që nga ajo kohë, e deri më tani, vendi ka mbetur pa institucionin e Kuvendit, meqë LVV-ja, si partia që doli e para nga këto zgjedhje, po insiston në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, emër të cilin nuk po e duan partitë që në mandatin e kaluar qeverisës ishin në opozitë.

Të martën është mbajtur vazhdimi i 15 i seancës për votimin e kryetarit të Kuvendit. Të enjten, Presidentja Vjosa Osmani do t’i takojë partitë parlamentare dhe temë do të jetë pikërisht konstituimi i Kuvendit.

Shpërndaje në

U Kopjua