Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim profesor Hisashi Owada, ish-kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), të cilin e falënderoi për vizitën dhe i shprehu mirënjohje të veçantë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e së drejtës ndërkombëtare.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti veçoi rolin kyç të profesorit Owada në Opinionin Këshillues të Gjykatës të datës 22 korrik 2010, i cili konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Nga ana e tij, profesori Owada falënderoi për pritjen dhe theksoi se Opinioni i Gjykatës ishte rezultat i ndërgjegjes dhe sensin e drejtësisë, duke shtuar se ishte e natyrshme që GjND-ja të vendoste për anën e drejtë.
“Gjatë takimit, u theksua rëndësia e thellimit të solidaritetit ndërmjet shteteve demokratike, si Kosova dhe Japonia. Kryeministri Kurti shprehu vullnetin dhe synimin e Qeverisë së Kosovës për të avancuar edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet dy vendeve. Profesori Owada e mirëpriti këtë angazhim dhe shprehu gatishmërinë që, në kapacitetin e tij personal, të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.