Për herë të parë që nga betimi, deputetët e legjislaturës së 9-të të Kuvendit të Kosovës ishin të një fjale.
Në tentimin e 38-të, deputetët u pajtuan jo për konstituim të Kuvendit, por për shtyrjen e seancës, raporton Kiks Kosova.
Këtë ndryshim e solli aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar të enjten e 26 qershorit, i cili i obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh.
Në frymën e këtij aktgjykimi, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ftoi në takim liderët e partive politike.
Derisa deputetët ishin brenda në sallë, te hyrja e Kuvendit, për herë të dytë, shoqëria civile protestoi edhe sot nën sloganin “Shteti në pauzë”.
Ma parullat “Boll! Juve jo, po neve po na nin”, aktivistët vazhduan thirrjen kundër bllokadës institucionale dhe papërgjegjësisë politike.
Seanca konstituive e Kuvendit nisi më 15 prill dhe që nga ajo ditë, ajo ka vazhduar çdo 48 orë.