Korriku tashmë ka hyrë, por fillimi i këtij muaji e zë Kuvendin e Kosovës pa shef e nënkryetarë.
Me temperaturat mbi 30 gradë Celzius që vijnë bashkë me këtë muaj vere, deputetët e betuar sot për të 40-tën herë do të tentojnë ta konstituojnë legjislaturën e nëntë.
Vazhdimi i seancës mbahet nga ora 11:00, njofton Klankosova.tv.
Në seancën e kaluar, pati një debat më të ashpër mes kryesuesit Avni Dehari, dhe tri deputeteve të ish-opozitës.
Kryesuesi Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë.
Lidhur me këtë pati mospajtime nga deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, përkatësisht Vlora Çitaku, Hykmete Bajrami dhe Time Kadriaj.
Kryesuesi i seancës, rikujtoi se në seancën konstituive nuk lejohet debati.
Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.
Me 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje.
10:54 – Zemaj thotë se Kurti mund ta keqpërdorë edhe ftesën e presidentes për takim
Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike, ka shprehur akuza drejt kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, për keqpërdorim të takimeve me liderë.
Zemaj u shpreh se Albin Kurti, ngjashëm do veprojë edhe me takimin e ftuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, transmeton klankosova.tv.
”Takimi i ftuar ka qenë sa për sy e faqe, ndaj kështu edhe mund të keqpërdoret nga i pari edhe në takimet me presidenten e vendit”.
”Nëse ata kanë vota tinëzare të deputetëve serbë, edhe ata mund ta thonë haptaz dhe të përballen me elektoratin dhe të kaluarën e tyre”.