Një vakt i ngrohtë është i vështirë për t’u gjetur në Rripin e Gazës, por një drekë për familjet në nevojë në jug do të shpërndahet me gomar dhe karrocë.
Pjata e sotme është koshari – e bërë me thjerrëza, oriz dhe një salcë domatesh pikante – në një grup tenxheresh të mëdha gatimi në njërën nga dy kuzhinat e komunitetit të drejtuara nga Ndihma Amerikane për Refugjatët e Lindjes së Afërt (Anera), organizatë humanitare kjo me seli në ShBA.
“Njerëzit mbështeten në vaktet tona; ata nuk kanë burim të ardhurash për të blerë atë që ka mbetur në tregjet lokale dhe shumë ushqime nuk janë të disponueshme”, thotë Sami Matar, i cili drejton ekipin Anera.
“Në të kaluarën ne gatuanim oriz me mish – me proteina. Tani, për shkak të mbylljes, nuk ka asnjë lloj mishi, as perime të freskëta”, shtoi ai.
Dy muaj më parë, Izraeli mbylli të gjitha kalimet për në Gaza – duke parandaluar hyrjen e të gjitha mallrave, përfshirë ushqimin, karburantin dhe ilaçet – dhe më vonë rifilloi ofensivën e tij ushtarake, duke i dhënë fund një armëpushimi dy-mujor me Hamasin. Tha se këto hapa kishin për qëllim të ushtronin presion mbi Hamasin për të liruar pengjet që mban ende.
Kohët e fundit, Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së dhe UNRWA, agjencia për refugjatët palestinezë, thanë se kishin përdorur të gjitha rezervat e tyre të ndihmës ushqimore.
Po rritet presioni ndërkombëtar mbi Izraelin për të hequr bllokadën e tij, me paralajmërime se uria masive mund të jetë e afërt dhe se vdekja e qëllimshme e civilëve nga uria është një krim lufte.
“Ndihma, dhe jetët e civilëve që ajo shpëton, nuk duhet të jenë kurrë një mjet negociues”, paralajmëroi të enjten shefi humanitar i OKB-së, Tom Fletcher.