Live

Ky është prishtinasi që u kap me drogë mbrëmë në Ferizaj, kërkohet masa e paraburgimit ndaj tij

16:04 / 08 Maj 2025

Nga Kosova Live

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej një muaji ndaj prishtinasit të dyshuar për shitblerje dhe shpërndarje të drogës, i cili u kap në flagrancë të mërkurën në fshatin Bibaj në Ferizaj.

Klankosova.tv merr vesh se i dyshuari ndaj të cilit u kërkua masa e sigurisë është Liridon Haxholli, i cili u ndalua derisa ishte në veturë me një person tjetër.

Sipas Prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se më datë 07.05.2025, rreth orës 15:40, në fshatin Bibaj, Komuna Ferizaj, konkretisht në dalje të autostradës Ferizaj-Prishtinë, i pandehuri pa autorizim ka poseduar me qëllim të shitjes substanca narkotike të llojit marihuanë në atë mënyrë që ditën kritike derisa i pandehuri ishte pasagjer në veturën “Tiguan”, të cilën e drejtonte F.H., dhe atë pasi që ishin ndalur në hyrje të autostradës në fshatin Bibaj, konkretisht në pushimore, në momentin që vëren zyrtarët policor i pandehuri hedh në tokë dy qese me substancë narkotike marihuanë të mbështjellura në foli alumini me pesha 99.2 gram dhe 98.9 gram ndërkaq pas kontrollit tek i njëjti gjendet edhe një cigare me substancë narkotike e llojit marihuanë, me peshë 0.5 gram”.

Nën dyshimin se i njëjti posedon sasi tjera narkotike është kryer kontrolli dhe bastisja në banesën ku jeton në Prishtinë, ku janë gjetur dhe sekuestruar: substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë me peshë të përgjithshme 1460 gram, foli alumini, peshore e tipit “Avec”, foli najloni, të cilat dyshohet se kanë qenë të destinuara për paketimin dhe ndarjen e substancës narkotike me qëllim të shitjes, si dhe para të gatshme (3265 euro), të cilat janë sekuestruar nga policia.

Haxholli do të hetohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Vërejtje: Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua