Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, ka dhënë një deklarim të shkurtër lidhur me letrën që sot ia ka dërguar kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, kryetarit aktual të LDK-së Lumir Abdixhiku.
“Është Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së i cili sipas Statutit vendosë për koalicione”, tha Mustafa për Klankosova.tv.
Ndryshe në letrën e parti të VV-së drejtuar Lumir Abdixhikut, shkruan se ai nuk ka pasur probleme me të, por, me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe.
“Mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha se sa LDK i kishte para koalicioneve të mëparshme kur i bëri ato. Plus në vitin 2020 bashkë ne kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar Abdixhikut.
Për letrën në fjalë, sot u deklarua edhe kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur pas daljes nga Kuvendi i Kosovës pas pranimit të një letre nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Ai deklaroi se pasi të shkoj në zyrë dhe të shoh letrën do jap një përgjigje në kohë, njofton Klankosova.tv.
“Kam marrë një letër, do të kthej përgjigje me kohë. Ju faleminderit shumë, më lejoni të shkoj ta shoh letrën, pastaj do të kthej përgjigje me kohë”, u shpreh Abdixhiku në një prononcim për media.
Ai gjithashtu mohoi të ketë pasur ndonjë takim zyrtar me Kurtin në Kuvend.
“Nuk ka ndodhur asnjë diskutim, ishim në drekë me deputetët”, shtoi ai.