Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se një kompani është mbyllë që nga fillimi i kërkesës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për kalim në tregun e lirë të furnizimit me energji elektrike për bizneset e mëdha.
Në emisionin DPT Fidani, ai ka deklaruar se ka kompani edhe që kanë bërë riorganizimin e brendshëm të funksionalizimit të kompanive.
“Është shumë herët thuajse ende një muaj nuk e kemi mbushë, mirëpo i ka filluar efektet e para. Kemi kompani që është mbyllu, kemi kompani që kanë filluar të bëjnë riorganizimin. Ka kompani që është mbyllë sepse nuk mundet ta përballojë, sepse nuk mundet ta përballojë për shembull ka paguar 330 mijë, tani faturat që i kam ofertën që e ka pranuar është afër 800 mijëve”.
“Nuk ka mundësi ta përballojë një kompani e tillë, dhe kjo shkon kah mbyllja. Ka kompani që është mbyllë, ka edhe kompani që i janë nënshtruar riorganizimit. Bile është investitor i huaj, por për shkak të korrektësisë ende duan të ruajnë privatësinë. Mirëpo, për shembull ai biznes e ka një plan të investimit dhe ndërhyrja në mes të vitit me dhunë për ta nxjerrë në tregun e lirë, atij biznesi komplet ia çrregullon planin e investimeve”.
“Ai biznes për të vazhduar me planin e investimit, ai duhet të ndalë investimin, për të paguar atë faturën e rrymës të rritur për 100 për qind ai duhet të kursejë diku, me kursim ai e shkurton një departament, ose e ulë prodhimin, edhe ai duhet të lirojë atë numër të punëtorëve që e ka pasë deri sot. Çka iu ka thënë punëtorëve shkoni një herë pushoni, dhe ju thërrasim kur të na paraqitet nevoja, janë 50 punëtorë. Plus nuk i ka punësuar edhe 150 të tjerë të rinj, që i ka pasë në plan me investimin e ri ta bëjë”, u shpreh Rafuna.