Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka ngritur alarmin për situatën politike në vend, pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Pas përfundimit të seancës së sotme, Limaj ka reaguar me tone të ashpra, duke bërë thirrje për përgjegjësi dhe ruajtje të shtetit, ndërkohë që ka paralajmëruar për rreziqet që sjell vazhdimi i krizës institucionale.
Në një deklaratë për media, ai kujtoi se në historinë botërore kanë ekzistuar shumë shtete që nuk kanë arritur të mbijetojnë, pikërisht për shkak të papërgjegjësisë së udhëheqësve të tyre.
“Bota ka njohur shumë shtete që nuk ekzistojnë më. Ata i kanë humbur shtetet për faktin sepse nuk i kanë merituar ta kenë. Kam përshtypjen që papërgjegjësia po shkon në ato nivele dhe shtetin po e shohin si diçka që, çka do që ne bëjmë këtu, atë dikush ua ruan,” ka thënë Limaj.