Zyrtari policor Remzi Pulaj i arrestuar para 10 ditësh nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën dyshimet për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, është liruar nga paraburgimi.
Gjykata e Apelit ka vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtësit të tij dhe të ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prizren, raporton Klankosova.tv
Ndryshe, Pulaj dyshohet se e ka grushtuar një qytetar, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, kur viktima ishte ndaluar nga policia fillimisht për një kundërvajtje në trafik.
Rasti ishte raportuar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore përfshirë shikimin e video-incizimeve të kamerave të sigurisë, identifikimin e dëshmitarëve të mundshëm dhe intervistimin e zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast.
Ndalimi i të dyshuarit është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i rëndë trupor”.
Vërejtje: Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.