Live

Lladrovci thumbon Kurtin: Dikujt iu deshën vite për ta njohur Lajçakun, Thaçi ishte vizionar

17:22 / 18 Shtator 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke iu referuar aktualitetit politik, ka shkruar se “Historia e afërt po harrohet për poenë politikë, por, dihet se liderët e vërtetë nuk i shohin llogaritë personale kur bëhet fjalë për shtetin dhe kombin”.

Do përkujtuar e ritheksuar fjalët e ish-oficerit britanik, Douglas Young në Gjykatën Speciale në Hagë, për ushtarët e UÇK-së, citoj: “Kishin një karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të madhe e të lartë patriotike dhe kjo ishte shumë e dukshme”, ka deklaruar Lladrovci.

Postimi i plotë:

Historia e afërt po harrohet për poenë politikë, por, dihet se liderët e vërtetë nuk i shohin llogaritë personale kur bëhet fjalë për shtetin dhe kombin, ashtu si Fehmi Lladrovci me shokë nuk mbante llogari se a ia vlente sakrifica.

Sot, nderojmë Hashim Thaçin i cili UÇK-së i priu me aq sa pati ndikim, me guxim dhe intuitë të rrallë përballë makinerisë vrastare serbe, edhe në momentet kur rrezikohej qenia fizike e popullit, bëri zgjidhje të duhura e fitoi luftën dhe shpalli Pavarësinë.

Ish presidenti Thaçi, ishte vizionar edhe në vitin 2020 kur theksoi se “duke mos e emëruar Lajçakun në pozitën e emisarit për negociatat Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian do të përmirësonte edhe kredibilitetin edhe një herë sepse Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën si shtet dhe ka votuar kundër Kosovës në UNESCO”.

Dikujt iu deshtën vite për ta njohur Lajçakun. Është më e dhimbshme kur sot, Kryeministri harron se çfarë deklaroi më 2020 për Lajçakun: “Kosova është shtet në kontinentin e Evropës, e nuk është atje në kufi me Meksikë. Thaçi më keq po flet për: Borrelin, Lajçakun e Brukselin sesa për Daçiqin, Vuçiqin e Beogradin. Borreli e Lajçaku nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë”.

Do përkujtuar e ritheksuar fjalët e ish-oficerit britanik, Douglas Young në Gjykatën Speciale në Hagë, për ushtarët e UÇK-së, citoj: “Kishin një karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të madhe e të lartë patriotike dhe kjo ishte shumë e dukshme”.

Ne jemi të njëjtit, në vitet ’80, ’90, 2000 e këndej, ashtu siç e tha z. Young. Këtë, disa, për fat të keq, ende nuk e kanë marrë vesh!

Shpërndaje në

U Kopjua