Lidhja Demokratike e Kosovës është e vetmja parti që partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, i ka ofruar bashkëpunim për të krijuar një koalicion, të paktën publikisht.
Pas dështimit të seancës së 11-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, letra e kreut të VV-së, Albin Kurtit, e dërguar tek kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u bë publike, e që në të thuhej se kërkohet bashkëpunim për marrëveshje politike.
”Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetë të LDK-së së fundmi kanë deklaruar publikisht se për te ecur përpara në legjislaturën e nënte, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike. Si kryetar i Lëvizjes VETEVENDOSJE, dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në. Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre qe kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”.
“LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK, në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV. Mospajtimet e diferencat që mund te ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve te mëhershme kur i bëri ato. Plus, në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa te tjerë qe nuk kanë më pozita të larta e as ndikim te madh ne LDK aso asokohe”, thuhej në letër.
Por, siç raporton gazetarja Qëndresa Tërshani, LDK-ja s’e ka marr fort me nguti kthimin e një përgjigje për VV-në.
“Te selia qendrore e LDK-së është shumë qetë, nuk ka mbledhje të Kryesisë, nuk ka deputetë. Megjithatë kemi kuptuar se Abdixhiku është brenda selisë, me shumë gjasa duke shfletuar letrën e Kurtit dërguar orë më parë”, tha Tërshani.