Live

Macron thotë se armëpushimi mund të bëhet në javët në vijim derisa SHBA e mbështet Rusinë në OKB

10:27 / 25 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se një armëpushim “mund të bëhet në javët në vijim”, menjëherë pas takimit me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku ai i tha presidentit amerikan se një marrëveshje nuk duhet të nënkuptojë “dorëzimin” e Ukrainës.

“[Një] armëpushim në infrastrukturën ajrore e detare”, tha presidenti francez për Fox News. “Nëse nuk respektohet, do të jetë dëshmia më e mirë e faktit se Rusia nuk është serioze”.

“Ne duam paqe. Dhe unë mendoj se iniciativa e Presidentit Trump është një nismë shumë pozitive. Por mesazhi im ishte që të kini kujdes sepse ne kemi nevojë për diçka thelbësore për Ukrainën”, shtoi ai.

Në një konferencë për shtyp me Macron, presidenti amerikan pretendoi se ai kishte bërë më shumë përparim në muajin e kaluar sesa ishte bërë në tri vitet e mëparshme, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Unë besoj se Emmanuel është dakord me mua për shumë nga çështjet më të rëndësishme. Europa duhet të marrë një rol qendror në garantimin e sigurisë afatgjatë të Ukrainës”.

Vizita e Macron vjen disa ditë përpara asaj të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer.

Dyshja kishin rënë dakord të tregonin “udhëheqje të bashkuar në mbështetje të Ukrainës” përpara takimeve të tyre me Trump.

Ndërkohë që Macron dhe Trump u takuan në Uashington, SHBA-ja mbajti krahun e Rusisë në OKB në një rezolutë në trevjetorin e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, që nuk përmendte rolin e Moskës si agresore.

Rezoluta u miratua në Këshillin e Sigurimit me 10 vota pro dhe 0 kundër. Franca, Britania, Danimarka, Greqia dhe Sllovenia abstenuan në votim.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më herët mbështeti një rezolutë të hartuar nga Ukraina dhe BE që dënonte Moskën, duke hedhur poshtë rezolutën rivale të SHBA-së që nuk përfshinte asnjë përmendje të agresionit të Rusisë.

Shpërndaje në

U Kopjua