Live

Maqedonci: Mbretëria e Bashkuar mbështetëse e pandalshme e sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë

16:31 / 25 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar rolin e Mbretërisë së Bashkuar si partner kyç në çdo etapë të shtetndërtimit të Kosovës, veçanërisht në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Maqedonci ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim produktiv me këshilltarin bilateral britanik, nënkolonel Mike Butler, me të cilin diskutuan për bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes.

“Mbretëria e Bashkuar në secilën etapë të shtetndërtimit të Republikës së Kosovës ka qenë partner i rëndësishëm dhe tejet mbështetës në ngritjen e kapaciteteve humane, logjistike e ligjore të secilit sektor, veçanërisht ky shtet ka dhënë kontribut jashtëzakonisht të vyer në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Pikërisht në këtë sektor është duke ofruar mbështetje këshilltari bilateral, nënkolonel Mike Butler”, ka shkruar Maqedonci.

Ai theksoi se gjatë takimit është diskutuar për aktivitetet e planit bilateral ndërmjet dy shteteve, përfshirë operacionin “Interflex”, që përfaqëson misionin më të rëndësishëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

“Operacionin Interflex që përbën misionin më të rëndësishëm aktual të FSK-së jashtë vendit, e po ashtu duke njohur potencialin e ushtrisë sonë temë diskutimi ishte dhe zgjerimi i bashkëpunimit në drejtime të reja, ashtu që ushtria jonë si Forcë profesionale t’i kontribuoj paqes përtej kufijve tanë shtetëror”, tha ai.

Shpërndaje në

U Kopjua