Live

Mbrëmje vendimtare në “Fadil Vokrri”: Prishtina në kërkim të biletës për finalen e Kupës së Kosovës

10:18 / 23 Prill 2025

Nga Kosova Live

Emocione të mëdha priten sonte në kryeqytet, ku Prishtina do të përballet me Dritën në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës. Dueli zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe nis në orën 20:00 – një përballje që pritet të vendosë se cila skuadër do ta shohë veten në finalen e madhe.

Të përzgjedhurit e Arsim Thaqit vijnë me një epërsi të lehtë, por të vlefshme, falë fitores minimale 0:1 në ndeshjen e parë në Gjilan.

Heroi i asaj sfide ishte Ardian Muja, i cili realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 6-të, duke i dhënë Prishtinës avantazhin e parë drejt trofeut.

Tani, me mbështetjen e publikut vendas dhe me një këmbë tashmë në finalen e ëndërruar, bardhekaltrit do të kërkojnë të mbyllin llogaritë me Dritën dhe të shkruajnë një tjetër faqe suksesi në këtë sezon.

Do të jetë një natë që premton tension, spektakël dhe ndoshta – një vend në histori.

Shpërndaje në

U Kopjua