Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se përmes mekanizimit të sinjalizimit jo vetëm që luftohet korrupsioni, por edhe bëhet qeverisja më e mirë duke kthyer besimin e qytetarëve në institucione publike.
Miftaraj këtë e tha në Konferencën Rajonale për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Reformën në Drejtësi si katalizator për forcimin e sundimit të ligjit dhe në Takimin Vjetor të Koalicionit të Evropës Juglindore në Mbrojtjen e Sinjalizuesve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Të gjendur brenda institucioneve publike, zyrtarët publikë kanë informata të shumta për keqbërje dhe shkelje në instuticione publike. Sinjalizimi si mjet i fuqishëm për parandalimin e korrupsionit, për ngritjen e integritetit të institucioneve na mundëson që përmes këtij mekanizmi të luftojmë jo vetëm korrupsionin, por ta bëjmë edhe qeverisjen më të mirë duke e kthyer edhe besimin e publikut- qytetarëve në institucioneve publike”, tha Miftaraj.
Miftaraj theksoi se vendet e Evropës Juglindore kanë marrë hapa konkret për të forcuar mekanizmat e brendshëm për të bërë më efikas atë të sinjalizimit.
“Mbrojtja e sinjaliziuesve në Evropën Juglindore kanë forcuar legjislacionin dhe kanë marrë hapa konkret për të forcuar mekanizmat e brendshëm për të bërë më efikas këtë mekanizëm të sinjalizimit”, tha ai.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Koalicioni i Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, më 10 dhe 11 prill 2025 (enjte dhe premte), me përkrahje të National Endowment for Democracy (NED) dhe fondeve programatike të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, organizojnë: “Konferencën Rajonale për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Reformën në Drejtësi si katalizator për forcimin e sundimit të ligjit”, si dhe “Takimin Vjetor të Koalicionit të Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve”.
Në këtë konferencë, marrin pjesë pjesëmarrës nga rajoni dhe më gjerë, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Kroacinë dhe vende të tjera.