Artistja Alketa Xhafa-Mripa e ka prezantuar projektin global “Thinking of you/Mendoj për ty”, në Strasburg të Francës.
Prezantimi i instalacionit të Xhafa-Mripës është bërë në sesionin e 48-të të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, i cili po mbahet nga data 25 deri më 27 mars 2025 në Strasburg. Aty u përfshinë diskutime mbi përdorimin e dhunës seksuale si armë lufte.
Konsullata e Kosovës në Stastburg ka bërë të ditur se presidenti i Kongresit, Marc Cools, para se t’i jepte fjalën artistes Alketa Xhafa-Mripa, përmendi se vepra e saj i ka rrënjët në Kosovë, ku u prezantua për herë të parë në vitin 2015 në një stadium futbolli në Prishtinë, dhe nga mesazhi I fuqishëm dhe ndikimi i madh që pati, e frymëzoi atë të vazhdonte prezantimin edhe në qendra të tjera botërore.
“Si një e re nga Kosova pata fatin të shpëtoja nga një vend i shkatërruar nga lufta dhe të shkoja në Londër për të studiuar art. Të tjerët nuk ishin aq me fat. Ndjeva se ishte koha dhe misioni im si artiste për të nderuar mijëra të mbijetuara të dhunës seksuale të kohës së luftës, gra dhe vajza që kishin vuajtur në heshtje dhimbjet e tyre të varrosura nën turpin dhe stigmën”, theksoi artistja Xhafa-Mripa para të pranishmëve në salle.
Xhafa-Mripa theksoi se ky instalacion është kthyer në një simbol të qëndresës dhe mbijetesës, dhe në një thirrje universale për drejtësi.
“Kjo është arsyeja pse në vitin 2024 ‘Thinking of You’ u prezantua në Hagë, qytetin e paqes dhe drejtësisë ndërkombëtare. Nëpërmjet veshjeve nga Kosova deri në Ukrainë, nga Bosnja në Ruandë dhe nga Kongo në Sudan dhe shumë vende të tjera… të mbijetuarve nga e gjithë bota iu dha njohja që meritojnë”, tha ajo.
“Thinking of You” do të shfaqet zyrtarisht në Strasburg më 19 qershor 2025, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, në hapësirat e Këshillit të Evropës dhe në qendër të qytetit.