Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbajti sot një ligjëratë për sfidat globale dhe ambientin politik para studentëve të Universitetit të Veriut në Koprivnicë. Ai theksoi se asnjë shtet nuk do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, përveç ndoshta Malit të Zi.
“Askush nuk do të hyjë në BE, ndoshta as Mali i Zi. Shtetet janë mashtruar me premtime të rreme për anëtarësim vetëm që të bëjnë lëshime”, tha Milanoviqi, duke shtuar se nga këto vende pritet që politikën e jashtme ta nënshtrojnë ndaj interesave të Bashkimit, që është një llogaritje e drejtpërdrejtë kundër Moskës.
Ai përmendi edhe Gjeorgjinë si shembull, duke thënë se ajo po përjeton rritje ekonomike për shkak të pozitës së saj gjeografike.
Milanoviqi vlerësoi se BE-ja nuk është më një forcë udhëheqëse.
“Evropa shkon në Kinë e mban ligjërata për të drejtat e njeriut në vend që të diskutojë për shitjen e makinave evropiane, shitje e cila është në rënie. Lojtarët kryesorë në skenën globale janë SHBA dhe Kina. Evropa nuk ka më burime, as nuk është lidere në inovacion apo dije”.
Sipas tij, megjithatë, BE-ja ka arritur të parandalojë konflikte dhe ambicie territoriale mes shteteve anëtare dhe ka sjellë harmoni relative. Për Kroacinë tha se “merr para nga BE-ja, por edhe jep shumë”.
Ai u ndal edhe te lufta në Ukrainë, të cilën e cilësoi si luftë të rraskapitjes dhe jo Luftë pozicionesh si ajo e Parë Botërore.
“Ndoshta kjo luftë do të ishte shmangur nëse mendësia evropiane nuk do të këmbëngulte se çdo vend ka të drejtë të zgjedhë aleancën ushtarake që dëshiron, duke e detyruar kështu Ukrainën të kthejë shpinën bashkëpunimit me Rusinë”.
Milanoviqi kritikoi edhe mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA-së ndaj “regjimit izraelit”, jo ndaj popullit izraelit, çka sipas tij ka sjellë në formën aktuale të terrorizmit ndaj palestinezëve.
“Njeriu i bardhë duhet ta kuptojë sa më shpejt se ai nuk është qendra e botës, dhe vetëm atëherë do të jemi më mirë të gjithë,” përfundoi ai, duke treguar një barcaletë të vjetër: “Pse nuk ka pasur kurrë grusht shteti në SHBA? – Sepse atje nuk ka ambasadë amerikane”.