Një 48-vjeçar nga Mitrovica ka humbur jetën të martën pas rënies nga ballkoni i banesës së tij.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Rozafa”, ku sipas dëshmisë së vëllait të viktimës, Daim Qubreli ishte në gjendje të dehur në momentin kur dyshohet se ka rënë nga kati i lartë i objektit banesor.
Fillimisht ai është dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, por për shkak të lëndimeve të rënda është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ka ndërruar jetë rreth orës 23:35 të së njëjtës ditë, raporton Sinjali, transmeton Klankosova.tv.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të trajtohet si “Vdekje e dyshuar”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.