Live

Moskonstituimi i Kuvendit, Haradinaj: E vetmja derë na mbeti Kushtetuesja

11:29 / 12 Maj 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se loja me moskonstituimin e Kuvendit, është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur, por edhe për vetë Kosovën si shtet.

Si pasojë e kësaj, partia të cilën e drejton me mbështetjen edhe të deputetëve të LDK-së dhe PDK-së, i është drejtuar Kushtetueses për të saktësuar shkeljet kushtetuese në këtë proces dhe për të na dhënë zgjidhje se si të dalim nga ky ngërç.

Haradinaj shpreson se vendimi kësaj gjykate të jetë i shpejt pasi kanë kërkuar masë të përkohshme që të ndërpritet shpërfytyrimi i Parlamentit me seancat qesharake e pa asnjë produkt.

“Loja me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por edhe për vetë Kosovën si shtet. Seancat e përsëritura në çdo 48 orë, pa asnjë vendim, janë bërë model i papjekurisë sonë shtetërore.

Dëmet nga bllokada që po i bëhët konstituimit të Kuvendit, ka edhe pasoja të rënda politike dhe ekonomike për ne si vend e si shoqëri. Konsiderojmë se ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit, me diktat të Vetëvendsjes, është shkelje e rëndë e Kushtetutës.

Në një situatë të tillë pa rrugëdalje, e vetmja derë na ka mbetur Gjykata Kushtetuese. Prandaj sot, Grupi ynë Parlamentar me mbështetjen edhe të deputetëve të LDK dhe të PDK, i është drejtuar asaj për të saktësuar shkeljet kushtetuese në këtë proces dhe për të na dhënë zgjidhje se si të dalim nga ky ngërç.

Natyrisht deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili shpresojmë të jetë i shpejtë, kemi kërkuar masë të përkohshme që të ndërpritet shpërfytyrimi i Parlamentit me seancat qesharake e pa asnjë product”, thotë Haradinaj në Facebook.

Shpërndaje në

U Kopjua