Live

Mungesa e infermierëve ndikon në cilësinë e shërbimeve në QKUK

10:08 / 20 Mars 2023

Nga Kosova Live

Mungesa e stafit të mesëm, përkatësisht e infermierëve ka bërë që në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, cilësia e shumë shërbimeve shëndetësore për pacientët nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar ndër vite.

Sistemi shëndetësor në Kosovë është duke u ballafaquar edhe me ikjen e stafit për në vendet e Bashkimit Evropian. Për Radio Kosovën kanë folur infermierët të cilat thonë se do ta lëshojnë Kosovën për kushte pune dhe paga më të mira.

Numri i pamjaftueshëm i infermiereve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka qenë dhe vazhdon të mbetet sfidë për shërbimin e pacientëve, për shkak se sistemi shëndetësor në Kosovë është duke u ballafaquar në vazhdimësi me ikjen e infermierëve.

Leonita Spahiu dhe Besiana Murati, të cilat kanë filluar stazhin e punës si infermiere në QKUK, janë shprehur të pakënaqura me pagat qe i marrin infermierët.

Infermierët në një prononcim për Radio Kosovën thonë se për shkak të pagesës jo te mirë, ato e shohin me shumë vetën që profesionin e tyre në të ardhmen ta ushtrojnë jashtë Kosovës e për këtë tregojnë ato, se janë duke ndjekur edhe kursin e gjuhës gjermane.

“Me shumë e shoh veten jashtë vendin të punoj si infermiere, për shkak se në Kosovë pagat janë shumë të ultë dhe për të pasur një jetë më të mirë atje. Unë mendoj që paga më e mirë do ishte të jetë 800 euro për një infermiere, kish mjaftuar kaq për të jetuar në Kosovë. Edhe në Kosovë do kisha punuar sikur të ishte paga më e madhe edhe kushtet e punës të ishin më në nivel, kurrë s’kisha shkuar jashtë vendit”, tha ajo.

Ndërsa drejtuesit e klinikave në QKUK si kërkesë kanë pasur shtimin e 5 infermierëve më së paku për çdo klinikë për vitin 2023.

Ndërsa SHSKUK në një përgjigje për Radio Kosovën ka thënë se konkursi i fundit për infermierë, sadopak do ta zbusë mungesën e tyre në klinika.

“Përmes konkursit të shpallur, mundësi punësimi do të kenë 70 infermierë me diplomë bachellor, 15 infermierë me shkollë të mesme, 10 teknikë të rëntgenit me diplomë bachelor, si dhe pesë laborantë mjekësorë me bachellor. Punësimi i këtyre kuadrove do të zbusë në masë të madhe mungesën e infermierëve dhe do të rrisë kualitetin e shërbimeve shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Radio Kosova i ka dërguar pyetje Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me konkursin e hapur nga SSHKUK-ja për 70 infermierë, se a është ky numër i mjaftueshëm përderisa kërkesat e klinikave janë shumë më të mëdha për infermierë, por deri me publikimin e këtij artikulli, nuk kemi marrë përgjigje.

Shpërndaje në

U Kopjua