Live

“Na pret një ndeshje e fortë” – Flet ish futbollisti kosovar para takimit me Islandën

17:23 / 20 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kosova dhe Islanda do të përballen sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ky takim do të fillojë nga ora 20:45, kurse ‘Dardanët’ kërkojnë vetëm fitore në këtë takim.

Më pas, loja e kthimit do të luhet të dielën në Spanjë, kur edhe do të përcaktohet kombëtarja që do të luajë në Ligën B dhe ajo që do të përfundojë në Ligën C në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

Ish-futbollistin dhe njohësi i futbollit në vend, Liridon Leci ka folur më shumë rreth përgatitjes së Kombëtares sonë, për lajmi.net, transmeton Periskopi.

Leci tha se Islanda është kombëtare e fortë dhe se Kosova do ta ketë të vështirë përballjen pasi ka dy mungesa të rëndësishme me Zhegrovën dhe Rrahmanin.

“Islanda është një kombëtare jashtëzakonisht e fortë. Forca e kësaj kombëtareje bazohet kryesisht te grupi i lojtarëve dhe jo te ndonjë individ i veçuar. Pikërisht kjo është ajo që e bën edhe më të rrezikshme. Ndeshja pritet të jetë e fortë dhe e paparashikueshme, sidomos duke pasur parasysh se edhe përfaqësuesja jonë ka mungesa të rëndësishme, si Zhegrova dhe Rrahmani, i cili po përballet me disa probleme”, tha Leci.

Ai tutje tha se kemi kapacitet për të kaluar në Ligën B dhe se kjo ligë është shumë e vështirë për Kosovën, pasi aty ‘Dardanët’ do të përballen me skuadra më të forta.

Leci vazhdoi duke treguar se ardhja e futbollistëve të rinj do të thotë se në të ardhmen do të jenë bartës të Kombëtares.

“Ne kemi kapacitet për të kaluar në Ligën B, por mendoj se kjo ligë është më e vështirë, pasi aty përballemi me kombëtare të një niveli më të lartë, gjë që mund të na sjellë vështirësi. Përfaqësuesja jonë ka nevojë gjithmonë për prurje të reja, të cilat sjellin freski në ekip. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për lojtarë të rinj, të cilët në të ardhmen do të jenë bartës të përfaqësueses”, tha ai.

Kosova kërkon që të inkuadrohet për herë të parë në Ligën B. Në Ligën C mbeti prapa Rumanisë në grup, ndërsa ishte më e suksesshme se Qipro e Lituania.

Bazuar tek futbollistët e ftuar në këtë grumbullim, sipas ‘Transfermarkt’, vlera momentale e Kosovës është 63.95 milionë euro, pak më e madhe se ajo e Islandës, e cila vlerësohet me 55.58 milionë euro.

Shpërndaje në

U Kopjua