Live

Nadir Çausholli dyshohet për përfshirje në fajde – Pse ndodhi sulmi ndaj CFO Pharma?

13:36 / 19 Mars 2025

Nga Kosova Live

Një sulm me armë zjarri automatik ka tronditur ditën e djeshme objektin e kompanisë “CFO Pharma” në autostradë, që i përket biznesmenit Nadir Çausholli. Ky incident ka ngjallur dyshime dhe ka hapur hetime mbi disa pista, duke përfshirë atë të konkurrencës dhe lidhjet e mundshme të Çaushollit me aktivitetet e fajdes.

Grupi hetimor ka nisur hetime për një periudhë kohore nga vitet 2019-2022, duke dyshuar se Nadir Çausholli mund të ketë qenë i përfshirë në operacione të jashtëligjshme financiare, si marrja dhe dhënia e parave me fajde.

Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që sulmi të ketë lidhje me këto aktivitete.

Pavarësisht hetimeve, Nadir Çausholli nuk ka dhënë asnjë informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve ose porositësve të sulmit.

Sipas hetuesve, autorët mund të jenë paguar nga persona të tretë për të realizuar këtë akt të dhunshëm.

Kamerat e sigurisë në zonën e ngjarjes janë analizuar, por deri tani nuk është zbuluar ndonjë provë të rëndësishme që mund të çojë në zbulimin e autorëve. Pamjet e kamerave nuk janë të qarta dhe makina e dyshuar e autorëve nuk është identifikuar ende.

Hetimet janë në vazhdim, dhe mbetet të shihet se cilat do të jenë zhvillimet e ardhshme në këtë çështje.

Shpërndaje në

U Kopjua