Prokuroria Themelore në Prishtinë ka realizuar një sërë aktivitetesh në disa lokacione, ku janë evidentuar se në disa vendpunime në Komunën e Fushë Kosovës, po kryheshin punime pa pajisje të nevojshme të sigurisë në vendin e punës, siç thuhet në komunikatën e Prokurorisë, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve.
Në njoftim të Prokurorisë thuhet me këtë rast janë ndaluar punimet në këto lokacione si dhe është inspektuar një aksident në vendin e punës në Mazgit, përcjell Klankosova.tv.
“Në vendin e ngjarjes ka dalë Koordinatori për rastet e veprave penale qe ndërlidhen me sigurinë në vendin e punës, njëherit prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë së bashku me Inspektorët e ndërtimit, të cilët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e pasojave të mundshme gjatë punës dhe rritjes së nivelit të sigurisë në vendin e punës, ku për shkak të mos ndërmarrjes së masave të përgjithshme të sigurisë dhe shëndetit në punë, mungesës së skelave, mos mbylljes së ashensorëve dhe mos mbylljes së shkallëve, janë ndaluar punimet në disa vendpunime”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me Inspektorët përkatës, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme brenda kompetencave ligjore, me qëllim të preventivës së veprave penale të kësaj natyre dhe zvogëlimit të rasteve me pasojë vdekje në vendin e punës”, thuhet tutje në njoftim.