Live

Ndërtim pa koordinim? Urat mbi Ibër, lëvizje e rrezikshme politike

09:09 / 06 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Qeveria në detyrë e Kosovës, para pak kohësh mori vendim për ndërtimin e dy urave përkrah urës kryesore të Ibrit që lidh Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut.

Kjo u vendos përmes një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar mes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe dy komunave në fjalë.

“Memorandumin e filluam me nënshkrimin e projektit të përbashkët të ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër, projekte këto që do të lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve të të dy komunave dhe do shërbejnë si infrastrukturë në komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve, duke forcuar integrimin social dhe zhvillimin ekonomik në të dy anët”, ishte postimi i ministrit të MMPHI-së, Liburn Aliu në Facebook më 1 korrik, kur edhe u vendosën gurthemelet e dy urave.

Për këto ura që javëve të fundit janë bërë të shumëpërfolura, eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, për Klankosova.tv ka thënë se kjo mund të ketë ndikim politike dhe social, pasi kjo çështje është jashtëzakonisht delikate në kontekstin e Mitrovicës dhe marrëdhënieve shqiptaro-serbe.

Gecaj shtoi se ndonëse ndërtimi i këtyre urave mund të lehtësojë bashkëpunimin institucional dhe qytetar ndërmjet komuniteteve, megjithatë kjo mund të përdoret nga Serbia për të provokuar reagime, sidomos nëse ndërtimi bëhet pa dakordim me faktorin ndërkombëtar.

“Efektet pozitive nëse realizohet me kujdes: ndihmon në shkëputjen nga logjika e ndarjes etnike dhe i jep sinjal normalizimi jetës urbane. Mund të forcojë autoritetin e institucioneve të Kosovës në veri, në mënyrë graduale. Lehtëson bashkëpunimin institucional dhe qytetar ndërmjet komuniteteve”.

“Rreziqet, nëse bëhet pa përgatitje politike: mund të shkaktojë tensione me strukturat paralele serbe në veri që e shohin këtë si ‘shtrirje kontrolli’. Mund të përdoret nga Serbia për të provokuar reagime, sidomos nëse ndërtimi bëhet pa dakordim me faktorin ndërkombëtar. Mund të krijojë perceptimin e imponimit në vend të bashkëpunimit”, ka thënë Gecaj.

Eksperti i sigurisë pohon se aleatët si ShBA-ja dhe vendet kryesore të BE-së duhet të jenë në dijeni dhe të mbështesin çdo projekt që ndikon në balancën delikate në veri.

“Çdo veprim i njëanshëm rrezikon të përdoret nga Serbia si pretekst për destabilizim ose për të akuzuar Kosovën për ‘shkelje të marrëveshjeve. Po, ndërtimi i dy urave të reja mund të jetë shumë i dobishëm dhe i nevojshëm, por duhet të bëhet me një plan të qartë politik, në koordinim të ngushtë me BE-në, SHBA-në dhe përmes një fushate paraprake informimi dhe përgatitjeje me qytetarët në të dy anët”.

“Veprimi i kujdesshëm në këtë drejtim mund të ndihmojë jo vetëm Mitrovicën, por të kthehet në një model të bashkëjetesës funksionale në tërë Kosovën e Veriut”, tha Gecaj për Klankosova.tv.

Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala, për Klankosova.tv për të njëjtën çështje ka potencuar gjithashtu se duhet një vlerësim i kujdesshëm në aspektin e sigurisë, politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare.

I njëjti ka folur edhe për efektin që mund të kenë nëse ndërtohen.

“Nëse menaxhohet me kujdes dhe në bashkëpunim me aleatët, do të përmirësonte jetën e qytetarëve, pa dallim etnie apo përkatësie politike. Do të tregonte fuqinë e shtetit për të zhvilluar territorin e vet sovran”, tha Shala.

“Por nëse projekti zbatohet në mënyrë të njëanshme dhe pa koordinim, mund të shkaktojë tensione, reagime të dhunshme dhe destabilizim të situatës së sigurisë. Do të përdorej nga struktura të caktuara si instrument propagande kundër institucioneve të Kosovës”, u shpreh ai.

Shala deklaroi se veprimet për ndërtimin e këtyre urave kërkojnë domosdoshmërisht konsultim me ShBA-në, BE-në dhe misionet tjera ndërkombëtare në Kosovë, si KFOR dhe EULEX.

Sipas tij, konsultimi me institucionet e lartcekura siguron legjitimitet ndërkombëtar, minimizon rrezikun e tensioneve dhe përdor kapacitetin e aleatëve si garantues të stabilitetit në veri.

“Pra, si përfundim ndërtimi i urave është i nevojshëm dhe i dobishëm, por duhet të jetë pjesë e një qasjeje të integruar politike, të sigurisë dhe diplomatike, e jo një veprim i izoluar teknik. Nëse projekti menaxhohet me transparencë, maturi strategjike dhe në partneritet me aleatët, ai mund të shërbejë si pikë kthese për normalizimin dhe zhvillimin e veriut të Kosovës”, theksoi Shala për Klankosova.tv.

KFOR dhe qëndrimi për urat në veri

Për ndërtimin e urave të reja mbi Ibër, është deklaruar edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.

Për Klankosova.tv, ky mision ka pohuar se vënia e gurthemelit për këto ura nuk është në kompetencën e tij.

Por theksoi se ushtarët e KFOR-it do të vazhdojnë të jenë në urën e Ibrit, si dhe të bëjnë patrullime në të Kosovën.

“Çështja që ngritët është jashtë kompetencës së KFOR-it. KFOR-i mban prani të fiksuar në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth për të siguruar një mjedis të sigurt”, ka thënë misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë.

Po ashtu, tha se ata kanë prani të dukshme dhe fleksibile në Mitrovicën e Veriut, si dhe në të gjithë Kosovën, dhe shtoi se “është i gatshëm t’i përgjigjet çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë në dobi të të gjitha komuniteteve në Kosovë”.

BE: Për ndërtim urash mbi Ibër, duhet të përfshihen të gjitha komunitetet

Nga Bashkimi Evropian për Radio Evropën e Lirë kanë deklaruar se çdo vendim për çfarëdo ndërtimi përgjatë lumit Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, me përfshirjen e plotë të të gjitha komuniteteve të prekura.

Por, thanë se “BE-ja nuk është në dijeni të këtij projekti dhe as nuk është e përfshirë në të”.

Për nisjen e ndërtimit të këtyre urave erdhi reagim edhe nga pala serbe. Petar Petkoviq, shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, kërkoi ulje të tensioneve dhe ndalimin e këtij projekti.

Megjithatë, Ambasada Gjermane tha se thirrjet për ulje të tensionit duhet të vlejnë në mënyrë të barabartë për të gjitha palët dhe siç u tha në reagimin e kësaj ambasade, nuk është Qeveria e Kosovës ajo që po dështon të zbatojë masa ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për sulmin e tmerrshëm në Banjskë, njofton Klankosova.tv.

“Fakti që udhëheqësi i vetëshpallur i atij sulmi, serbi i Kosovës dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, pranoi publikisht përgjegjësinë dhe megjithatë vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, minon thellësisht përpjekjet për të nxitur besimin dhe llogaridhënien në rajon”, thuhet tutje aty.

Në lidhje me këtë, ambasada përdori një proverb, duke thënë se së pari duhet të vendosen rregullat në shtëpinë e vet.

“I zhvendosur në situatën aktuale, kjo proverb na kujton se duhet të rregullosh shtëpinë tënde përpara se ta qortosh vazhdimisht Kosovën për vendimet e saj. Mosveprimi në ndjekjen penale të shkelësve të dhunshëm është po aq i keqardhur dhe kundërproduktiv sa çdo masë e pakoordinuar nga Prishtina”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Por, kjo ambasadë në të njëjtën kohë i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës në detyrë që të përmbahet nga lëvizjet përshkallëzuese.

“Siç e kemi deklaruar vazhdimisht në përgjigjet tona ndaj pyetjeve të mëparshme të shtypit, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të përmbahet nga lëvizjet përshkallëzuese”, thuhet në njoftim.

Ankesë për këtë pati edhe nga presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, i cili tha se Beogradi ka protestuar te fuqitë perëndimore, pasi Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur gurthemelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër.

Ura e Ibrit testohet nga BE-ja

Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete, iu nënshtrua testimeve dhe inspektimeve teknike nga ekspertët e Bashkimit Evropian, më 24 qershor.

Krahas saj, u tha se u testuan edhe strukturat përreth urës, me qëllim vlerësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së saj, njofton Klankosova.tv.

Matje e inspektime në këtë zonë janë bërë edhe vitin e kaluar, nga autoritetet e qeverisë së Kosovë.

Ato u kryen në kohën kur ishin shtuar pretendimet për një hapje të mundshme të urës, edhe për automjete.

Pavarësisht kësaj, ajo nuk u hap. Ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim për makina që nga lufta e këndej.

Paralajmërimet e Kurtit për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim në vitin 2024

Kryeministri tashmë në detyrë Albin Kurti kishte thënë më 24 shtator të vitit të kaluar se dëshiron që ura kryesore mbi lumin Ibër të jetë një urë normale.

Në një intervistë për “Financial Times”, ai pati theksuar se Evropa kishte rrëzuar më parë muret, e sipas tij, nuk është në rregull që të ketë këmbëngulje për një urë të mbyllur.

“Ne duam një urë normale. Një urë normale është një urë e hapur, të vetmit që gëzojnë një urë të mbyllur janë ata që ende ëndërrojnë ndarjen e Kosovës”, pati thënë Kurti.

Kërkesat e për hapjen e urës së Ibrit u patën kundërshtuar nga shtetet perëndimore dhe mekanizmat e tyre në Kosovë. 

Shpërndaje në

U Kopjua