Strategji të qartë dhe unitet nga partitë politike, ka kërkuar politologu Argjend Zejnaj sa i përket dialogut me Serbinë.
Sipas tij, partitë politike duhet të ulen në një tryezë dhe ta krijojnë strategjinë sa i përket edhe integrimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, pasi sipas tij, Kosova ka humbur energji këto katër vitet e fundit.
“Jo vetëm partia ose kryeministri i ardhshëm por të gjithë subjektet politikë duhet të ulen në një tryezë që duhet të udhëheqë presidentja e Kosovës dhe ta bëjë një strategji të qartë dhe sa i përket me dialogun dhe me Serbinë dhe sa i përket me integrime dhe me aleancat na janë ftohur gjatë këtyre katër viteve. Duhet të kemi një fokus të veçantë sa i përket dialogut sepse po i humb shumë energji Kosovës dhe po e lë në aspektin e brendshëm dhe atë të jashtëm”, theksoi Zejnaj, teksa pret edhe shtim të presionit nga faktori ndërkombëtar.
“Do të jetë presion, e pamë edhe vizitën e fundit të dërguarit të ri të BE-së, dhe ky do të jetë më kompetetivë sa i përket lehtësimit të dialogut të Kosovës me Serbinë, për të ardhur deri në një konkluzion të marrëveshjes finale por urojmë që do të ndihmojë edhe ShBA sa më shpejtë që është e mundur. Duhet të respektohet marrëveshjet e arritura që nga fillimi i dialogut dhe në të njëjtën kohë edhe Kosovës i bëri thirrje që të filloj të mendoj seriozisht mënyrë se si do të jepet kompetencë autonomi sociale politike komunitetit serb. E kishte parasysh Asociacionin e komunave serbe, por në të njëjtën kohë kishte përballë një kryeministër i cili ka hezituar për katër vite që të ndërmarrë hapa konkret sa i përket kësaj teme dhe përmbylljes së mundshme të dialogut me Serbinë, këto janë dy pikat kryesore”, ka thënë Zejnaj.
Zejnaj ka thënë se nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës involvohen direkt në dialog, qasja e Kosovës do të jetë më ndryshe, pasi “ShBA nuk ka kohë të presë për teket tona”.
“Respektimi nga ana e Serbisë dhe fillimi implementimit nga ana e Kosovës, ky është ngërçi kryesor pa të cilin nëse nuk tejkalohet, nuk do të kemi përmbyllje dhe konkluzion sa i përket dialogut. Nëse do të kemi rikthim të fuqishëm të ShBA-së në tavolinën e dialogut nëse do të jetë Kurti kryeministër, do të duhej të rikapituloj vetveten qëndrimet e tij dhe duhet të qaset ndryshe, përndryshe nuk do të ketë të ardhme as si kryeministër e as të ardhme politike sepse Amerika nuk kanë kohë që të na presin për teket tona”, u shpreh Zejnaj.