Teksa dialogu pritet të intensifikohet, Qeveria ka bërë të ditur se është e gatshme dhe e përgatitur për dialog me Serbinë në Bruksel. Ndërsa përfaqësues të opozitës derisa kritikojnë për mungesë transparence, kërkojnë që njohja të jetë në qendër të procesit të dialogut.
Njohja reciproke është synim i Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë, i cili qysh në ditët e para të janarit duket se ka nisur intensifikimin.
Derisa nga BE ende nuk ka ndonjë thirrje zyrtare për takim të palëve në Bruksel, Qeveria e Kosovës thotë se është e gatshme dhe e përgatitur për ballafaqim me Serbinë.
“Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për takime të radhës, me qëllim të diskutimeve për marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thotë për RTK Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
“I takon ndërmjetësuesit të BE-së të përcaktojë se kur do të jetë takimi i radhës. Ne jemi të vullnetshëm, të gatshëm dhe të përgatitur”.
Ndërsa përfaqësues të opozitës konsiderojnë se në këtë proces nuk ka transparencë, derisa i bëjnë thirrje Qeverisë që të insistojë për njohjen në qendër të marrëveshjes.
“Kryeministri i Kosovës nuk duhet të sillet sikur dialogu me Serbinë ka filluar dje”, thotë Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së. “Ai duhet të mësojë nga trashëgimia në dialog dhe duhet të kuptojë që nuk është koha për të ricikluar marrëveshjet teknike tashmë të nënshkruara, mirëpo konteksti i ri gjeopolitik shumë i favorshëm për Kosovën na e mundëson që të insistojmë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me një njohje në qendër”.
Çitaku tha se çfarëdo lloj marrëveshje tjetër e cila nuk prodhon qartësi por krijon një status quo të re, është me shumë pikëpyetje dhe shumë rreziqe për Kosovën.
E nga ana e saj, Rrezarta Krasniqi nga LDK, deklaron se të gjithë e kanë parë një deklaratë nga SHBA, që nuk është koha që Serbia ta njohe Kosovën.
“Atëherë Kryeministri Kurti dhe Qeveria duhet të dalë dhe të na tregoj se deri ku ka shkuar ky proces, dhe pse tash Amerika nuk po deklaron siç ka deklaruar më herët që duhet të ketë njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por tani ka deklaruar që nuk është koha që Kosovën ta njehë Serbia”, tha Krasniqi. “Për ne është shqetësuese dhe do të duhej që kryeministri të dalë dhe të na tregojë se çfarë ka ndodhur lidhur me këtë proces”
Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Afrim Hoti konsideron se pas zhvillimeve të fundit Kosova ulet në tryezë me pozicione të dobësuara. Sipas tij, plani franko-gjerman i hap rrugën Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Ajo që ka mbetur të diskutohet modalitetet nëse ky plan, do të kishte njohjen ose sipas informacioneve të cilat jepen, duket se kjo do të shtyhet për me vonë”, thotë Afrim Hoti, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare. “Ndërkohë që e mira e gjithë kësaj marrëveshje është pajtueshmëria e palëve për të njohur një lloj subjektiviteti , e pastaj të hapte rrugën për Kosovën të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare e për Serbinë, të njihte Kosovën pa njohje formale”.
Përtej angazhimit evropian në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, edhe SHBA është e angazhuar përmes përfaqësuesve të saj për Ballkanin, por edhe zyrtarëve të Departamentit amerikan të Shtetit. Në këtë drejtim, këshilltari special i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pritet të vizitojë Beogradin javën që vjen.