Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka lavdëruar rregullisht Departamentin e Efiçencës së Qeverisë të miliarderit të teknologjisë, Elon Musk për rolin e tij në shkurtimin e fuqisë punëtore federale dhe ndalimin e mijëra programeve dhe kontratave qeveritare.
Në vetëm tre muaj, agjenci të tëra qeveritare janë çmontuar dhe qindra mijëra punëtorë nga fuqia punëtore federale prej 2.3 milionë banorësh janë pushuar nga puna.
Musk, shefi i Tesla (TSLA.O), tha më 22 prill se së shpejti do të tërhiqet nga DOGE, me mandatin e tij 130-ditor si punonjës i posaçëm i qeverisë që do të përfundojë në fund të majit. Largimi i tij i afërt ngre pyetje në lidhje me të ardhmen e DOGE-s, megjithëse Shtëpia e Bardhë këmbëngul se puna e saj do të vazhdojë, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Kritikët thonë se DOGE i është dhënë pushtet i jashtëzakonshëm nga Trumpi dhe se funksionon pa mbikëqyrje dhe në fshehtësi, megjithëse Musk thotë se është transparent.
DOGE i Elon Musk po ashtu po i jep fund punës së një agjencie ndihme amerikane të nisur nga ish-presidenti republikan George W. Bush për të ulur varfërinë dhe për të promovuar rritjen ekonomike në mbarë botën, sipas Reuters.
Reuters thotë se lëvizja për mbylljen e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) vjen si pjesë e një shtytje të paprecedentë nga presidenti Donald Trump dhe këshilltari i tij miliarder Musk për të tkurrur qeverinë federale, duke thënë se paratë e taksapaguesve amerikanë janë shpenzuar gabimisht, transmeton Klankosova.tv.
Kjo lëvizje nga DOGE rrezikon mbi 200 milionë euro për Kosovën. Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë amerikane dhe Qeveria e Kosovës vitin e kaluar lansuan zbatimin e programit kompakt, që ishte i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër. Programi kishte vlerën prej 236.7 milionë dollarësh. Nga kjo vlerë, 202 milionë ishin nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera kontribut i Qeverisë së Kosovës.