Live

Nxënësit në shkollën “Pavarësia” detyrohen të paguajnë çdo muaj nga 2 euro për sigurimin

10:59 / 04 Maj 2025

Nga Kosova Live

Për të pasur dy roje fizike, SHFMU“Pavarësia” në Prishtinë, më saktë në lagjen Mati1, ka “detyruar” nxënësit që çdo muaj të dërgojnë nga 2 euro.

Në fletëkërkesën që ka siguruar Klankosova.tv, e publikuar më datë 29 prill nga u.d drejtori i shkollës “Pavarësia”, Halil Braha shkruhet se për sigurim të shkollës, nga data 2 maj do të nis zbatimi i masave të reja për sigurimin fizik të ambientit të shkollës.

Të përfshirë në këtë pagesë shkruhet se janë parafillorët deri te nxënësit e klasës së nëntë.

Tutje, specifikohen edhe mënyrat e pagesës, derisa për pagesë kanë edhe një afat kohor prej 5 deri më 12 maj 2025.

Ndërkaq, një burim për Klankosova.tv, prind i një nxënësi në këtë shkollë, tha se e ka ndërmend t’i largojë fëmijët nga kjo shkollë.

“Ky drejtori i kësaj shkolle i ka detyruar secilin nxënës në këtë shkollë çdo muaj t’i sjell nga dy euro, dikush i ka 3 fëmijë duhet t’i sjell 6 euro. A ka këso turpi dikun, veç te na ndodhin këto sene me pagu sigurim nxënësit për interesa të dikujt dhe tjetra është që problemet bëhen jashtë oborrit të shkollës dhe jo brenda”, tha prindi i njërit nga nxënësit e kësaj shkolle, emër i njohur për redaksinë.

Klankosova.tv ka kontaktuar edhe u.d drejtorin e shkollës Halil Brahaj, i cili tha se ky vendim ka ardhur unanimisht nga Këshilli i Prindërve dhe jo nga menaxhmenti i shkollës.

Derisa shtoi se ankesa mund të ketë nga një grup i vogël dhe se do të ketë kategorizime, disa fëmijë do të lirohen nga pagesa.

“Nuk besoj që ka shumë ankesa, mundet nga një grup i vogël i njerëzve. Është vendim i këshillit të prindërve, nuk ka ardhë prej menaxhmentit. Kemi informu komunën dhe komuna na ka dhanë lejen që me vazhdu me këtë proces, është iniciativë e prindërve, do të kategorizohen disa nxënës që do të lirohen nga pagesa. Këshilli i prindërve ka qenë unanim për këtë vendim, për me qenë ma e sigurt është me numër të madh të nxënësve. Për me parandalu ndonjë incident”, tha Brahaj.

Shpërndaje në

U Kopjua