Live

OSBE-ja mirëpret aktgjykimin e Kushtetueses për Ligjin e KPM-së

10:22 / 25 Prill 2025

Nga Kosova Live

Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Medias (KPM).

Gjetjet e Gjykatës, thotë OSBE-ja, nënvizojnë rëndësinë thelbësore të ruajtjes së pavarësisë dhe efektivitetit të KPM-së në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare, duke përfshirë rekomandimet nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venedikut, raporton Klankosova.tv.

“Ne e mirëpresim këtë mundësi të ripërtërirë për një shqyrtim gjithëpërfshirës të kuadrit ligjor. Konsultimi i gjerë me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë do të jetë thelbësor për të siguruar që legjislacioni i ardhshëm të mbështesë integritetin dhe pavarësinë e KPM-së”, ka thënë OSBE-ja në reagim.

OSBE-ja thotë se mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe përafrimin e legjislacionit me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 23 prill, e ka shfuqizuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), pasi gjeti se disa nene të ligjit, nuk janë përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ankesa ishte dërguar në Kushtetuese nga deputetë të PDK-së dhe LDK-së, ndërsa gjykata i kishte bashkuar këto kërkesa në një rast të vetëm.

Kuvendi i Kosovës miratoi më 11 korrik të vitit të kaluar Ligjin për KPM-në, pa pjesëmarrjen e partive opozitare në votim.

Ky miratim pati nxitur kundërshti nga organizata dhe grupe që mbrojnë të drejtat e mediave, nga partitë në opozitë, si dhe nga Bashkimi Evropian.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) pati thënë se problematike, veç tjerash, është pjesa e ligjit që parashihte rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11.

Sipas AGK-së, kjo mund do të mund të keqpërdorej nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së. 

Shpërndaje në

U Kopjua