Në 27-vjetorin e Betejës së Loxhës, presidentja Vjosa Osmani ka nderuar luftëtarët e UÇK-së, duke theksuar se kjo betejë ishte një nga përballjet më të lavdishme të luftës për liri.
Ajo ka deklaruar se Loxha nuk ishte vetëm një fushëbetejë, por një simbol i rezistencës dhe unitetit për të mos u kthyer në robëri.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për dëshmorët dhe mbrojtjen e vlerave për të cilat ata dhanë jetën.
E plotë:
Sot, në 27-vjetorin e Betejës së Loxhës, kujtojmë njërën nga përballjet më të lavdishme të luftës sonë për liri. Përballë një armiku të pamëshirshëm, luftëtarët e UÇK-së dëshmuan se vullneti për liri është më i fortë se çdo makineri lufte.
Loxha ishte më shumë se fushëbetejë, simbol i rezistencës dhe bashkimit për të mos u kthyer kurrë në robëri. Prej andej, thirrja për liri u përhap në gjithë Kosovën.
Sot, si shtet i lirë e demokratik, kemi për detyrë ta ruajmë kujtesën për të rënët dhe t’i mbrojmë vlerat për të cilat u flijuan. Liria është amaneti i tyre!
I përulemi me nderim dëshmorëve të Betejës së Loxhës dhe të gjithë dëshmorëve të UÇK-së.