Live

Osmani: Profesori Gashi ndërtoi ura në mes dijes dhe shoqërisë

14:22 / 22 Prill 2025

Nga Kosova Live

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka shprehur ngushëllime familjes për ndarjen nga jeta të Akademikut dhe kryetarit të parë të Prishtinës pasluftës, Salih Gashit.

Osmani tha se Gashi ishte një personalitet i spikatur në jetën publike dhe institucionale të shtetit tonë.

“Profesor Gashi i përkiste brezit, i cili me përkushtim, dije dhe integritet ndërtoi ura në mes dijes dhe shoqërisë. Ai ishte kontribuues i përkushtuar në Universitetin e Prishtinës, figurë e respektuar në qarqet akademike dhe zë i urtë në jetën institucionale e publike të Kosovës”, tha Osmani.

E para e shtetit e vlerësoi lart kontributin e Salih Gashit, në arsim, shkencë dhe shoqëri do të mbetet përherë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe frymëzim për brezat që vijnë.

“Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, komunitetit akademik dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin e të bashkëpunojnë me të. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, deklaroi ajo.

“I përhershëm qoftë kujtimi për akademik Salih Gashin!”.

Shpërndaje në

U Kopjua