Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev, teksa po marrin pjesë në Samitin e NATO-s në Washington, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani tha se me Glavchev ka diskutuar për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, si dhe për partneritetin e fortë me Bullgarinë për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
“Me Kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev, takimi ynë në margjina të Samitit të NATO-s u fokusua në partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë dhe angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Gjithashtu diskutuam edhe për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe mbështetjen e vazhdueshme nga partnerët tanë bullgarë”, shkroi ajo.
Samiti vjetor i NATO-s, që do të zgjasë deri më 11 korrik, përkon me 75-vjetorin e themelimit të saj dhe zhvillohet derisa lufta në Ukrainë vazhdon.
Kosova për herë të parë është përfshirë në një ngjarje në kuadër të Samitit, ku presidentja Osmani është pjesë e aktivitetit të organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.