OVL UÇK ka reaguar pas vendimit për uljen e dënimit në 13 vjet ndaj Pjetër Shalës në Hagë.
Përmes një njoftimi, nga kjo organizatë janë shprehur të pakënaqur duke thënë se ishin në pritje të lirimit të tij.
Tutje në reagim thuhet që se Gjykata Speciale ka karakter politik.
Reagimi i plotë:
OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së shprehin pakënaqësinë e tyre të thellë me vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit, e cila konfirmoi dënimin ndaj bashkëluftëtarit tonë Pjetër Shala, duke e ulur atë në 13 vjet burgim.
Edhe pse dënimi është ulur, ne kemi pritur me bindje të plotë një vendim lirues, sepse besojmë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë, dhe në luftën tonë të drejtë për çlirim.
Ky aktgjykim, në vend që të përmbyllë padrejtësinë, veçse e thellon bindjen tonë se kjo gjykatë ka karakter politik dhe nuk e trajton drejtësinë mbi baza të barabarta e të paanshme.
UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta, e vërteta historike është në anën tonë, dhe bashkëluftëtarët tanë nuk do t’i nëpërkëmbë askush me procese të motivuara politikisht.
Liria nuk gjykohet, ajo respektohet!