Live

Paketa e ndihmës e BE-së që synon t’i dërgojë një mesazh ‘shumë të fortë’ Ukrainës mund të vijë të hënën

14:52 / 21 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Komisioneri evropian për mbrojtje, Andrius Kubilius ka folur rreth planeve të BE-së për të mbështetur Ukrainën.

Ai thotë se pozicioni i BE-së është “shumë i qartë”, pasi blloku është i përkushtuar për “paqe përmes forcës”.

Siç raporton The Guardian,  Kubilius me këtë la të nënkuptohet se blloku do të paraqesë një paketë të re ndihme për Ukrainën të hënën, ndërsa tha se “ne po diskutojmë  të gjitha mundësitë që do të na lejojnë, në një mënyrë shumë urgjente, të dërgojmë një mesazh shumë të fortë për ukrainasit dhe për botën se ne jemi së bashku me Ukrainën”.

“Shpresoj se një rast i mirë për një mesazh të tillë do të jetë … përvjetori i tretë i luftës, i cili vjen të hënën e ardhshme,” thotë ai.

Gjatë kësaj jave u mbajtën dy samite urgjente në Evropë, pasi vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump për të ndjekur paqen në Ukrainë pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Evropës, ose të vetë Kievit, ka shkaktuar shqetësim.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar burime financiare dhe armë për Ukrainën, por në një ndryshim të papritur të politikës që nga ardhja në pushtet, Trump ka nisur negociatat me Moskën.

Trump e quajti Zelensky një “komedian mesatarisht të suksesshëm”, i cili “bindi Shtetet e Bashkuara të shpenzojnë 350 miliardë dollarë, për të hyrë në një luftë në të cilën nuk mund të fitojnë, e cila nuk duhej të fillonte kurrë, por një luftë që ai, pa SHBA dhe “TRUMP”, nuk do të jetë kurrë në gjendje ta zgjidhë.

Mesazhi i Trump për Zelenskyn erdhi pasi udhëheqësi ukrainas shprehu këtë javë zemërimin për përjashtimin e Ukrainës nga bisedimet diplomatike të nivelit të lartë SHBA-Rusi në Arabinë Saudite – ku të dy vendet thanë pas më shumë se katër orë bisedimesh se kishin rënë dakord të takoheshin përsëri së shpejti se si t’i jepnin fund luftës.

Shpërndaje në

U Kopjua