Live

Pamje pas mesnatës në Zveçan, numër i madh i policëve siguruan vendin e ngjarjes pas shpërthimit

06:57 / 01 Prill 2025

Nga Kosova Live

Një shpërthim është dëgjuar pas mesnate në qendër të Zveçanit, pranë objektit të Postës, duke shkaktuar dëme materiale. Si pasojë, forca të shumta të Policisë së Kosovës janë vendosur në zonë që nga mbrëmë.

Njësiti i Deminimit ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes, ndërsa për arsye sigurie, policia ka vendosur shirita për të kufizuar qasjen në objektin, i cili ndodhet në katin përdhese të një pallati banimi. Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar të shmangin afrimin në këtë zonë.

Një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të shoqëruar nga të paktën gjashtë automjete policore, përfshirë një autoblindë të njësive speciale, kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes.

Lidhur me rastin, Policia e Rajonit të Veriut ka dhënë detaje, duke konfirmuar se nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale.

Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar për Sinjalin se xhamat e një pjese të objektit janë thyer si pasojë e shpërthimit, ndërsa policia po vazhdon hetimet në vendngjarje.

“Nuk ka persona të lënduar, janë thyer xhamat në një pjesë të objektit, por për momentin nuk mund të japim më shumë informacione. Policia, me njësitë përkatëse, është ende në vendin e ngjarjes”, tha Elshani.

Shpërndaje në

U Kopjua