Papa Françesku ka bërë një paraqitje të papritur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan të dielën në mëngjes, duke kaluar nëpër turmën e besimtarëve në karrocën e tij, në përfundim të Meshës së Dielës së Palmave.
Vizita e tij vjen pas një tjetër daljeje të paparalajmëruar të shtunën në Santa Maria Maggiore, duke dëshmuar përkushtimin e tij ndaj komunitetit katolik edhe pse është ende në proces rikuperimi shëndetësor.
I përshëndetur me duartrokitje dhe lutje, Papa bekoi besimtarët nga karroca përpara se të rikthehej në dhomat e tij në rezidencën Santa Marta.
Në predikimin e Meshës, të lexuar nga kardinali Leonardo Sandri, Papa theksoi thellësinë shpirtërore të kësaj dite të shenjtë.
“Kur shohim turmën e burrave dhe grave që urrejnë dhe dhunën të hidhen në rrugën drejt Kalvarit, le të kujtojmë se Zoti e shndërron këtë rrugë në një vend shpengimi, sepse ai eci duke dhënë jetën e tij për ne”.
Ai shtoi gjithashtu: “Përballë padrejtësisë mizore të së keqes, mbajtja e kryqit të Krishtit nuk është kurrë e kotë, në të vërtetë, është mënyra më konkrete për të ndarë dashurinë e tij shpëtuese”.
Papa Françesku vazhdon të shfaqë përkushtim të pashoq në shërbim të besimit, edhe pse është ende në fazë rikuperimi pas një periudhe 38-ditore në spitalin Gemelli në Romë, ku u trajtua për pneumoni të dyfishtë që, sipas mjekëve, në disa momente ishte bërë kritike.