Vedat Muriqi po kalon një periudhë të shkëlqyer me Mallorcan, duke qenë një figurë kyçe në planet e trajnerit Jagoba Arrasate. Megjithatë, sulmuesi kosovar tani po përballet me një sfidë të re pas lëndimit të pësuar në ndeshjen ndaj Celtas në ligë, ku ai ka dëmtuar gjurin e këmbës së majtë, raporton “Estadio Deportivo”.
Muriqi do të mungojë për një periudhë prej tri deri katër javësh, duke i shkaktuar probleme të reja trajnerit bask në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit.
Lëndimi i tij vjen në një moment delikat për Mallorcan, e cila është në vendin e nëntë të tabelës, me 8 pikë larg Betisit në vendin e gjashtë, që është pozita e fundit për kualifikimin në garat evropiane.
Gjatë këtij sezoni, Muriqi ka qenë një lojtar kyç për Mallorcan, duke regjistruar 26 paraqitje, duke shënuar shtatë gola dhe duke asistuar dy herë të tjera.
30-vjeçari ka një kontratë me klubin deri në vitin 2027 dhe është shprehur i gatshëm të vazhdojë aventurën me Mallorcan. Vlera e tij është 8 milionë euro, sipas portalit të specializuar për transfere “Transfermarkt”.