Live

Pas marrëveshjes Kosovë-Shqipëri-Kroaci, Vuçiq shkarkon ambasadoren serbe në Zagreb

18:29 / 25 Mars 2025

Nga Kosova Live

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka shkarkuar ambasadoren e Serbisë në Zagreb, Jelena Miliç, sipas një vendimi të publikuar këtë të martë në Gazetën Zyrtare të Serbisë.

Në dokumentin zyrtar konfirmohet se Miliç është liruar nga detyra, ndërsa vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë. Në lidhje me shkarkimin nuk është dhënë ende ndonjë arsye specifike.

Zhvillimi vjen në një moment përshkallëzimi të tensioneve mes Serbisë dhe Kroacisë, pas marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes të nënshkruar më 18 mars në Tiranë midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Presidenti Vuçiç e kritikoi ashpër marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një garë të re armatimi në rajon.

“Ne e morëm mesazhin. Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur vendin tonë,” – deklaroi ai, rapoton euronewsal.

Nga ana tjetër, Kroacia u përgjigj duke theksuar se ka të drejtë të bashkëpunojë në sektorin e mbrojtjes me çdo vend që dëshiron.

Marrëveshja e mbrojtjes u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ai i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe ministri kroat, Ivan Anushiç. Nënshkrimi i saj ka nxitur reagime të forta në Serbi, duke ndikuar edhe në marrëdhëniet diplomatike në rajon.

Shpërndaje në

U Kopjua