Live

Pas ndërprerjes masive, rikthehet rryma për 2.5 milionë konsumatorë në Portugali dhe Spanjë

09:45 / 29 Prill 2025

Nga Kosova Live

Qeveritë e Spanjës dhe Portugalisë shpallën gjendje emergjence pas një ndërprerjeje të papritur dhe masive të furnizimit me energji elektrike që ndodhi dje, duke prekur dhjetëra miliona qytetarë.

Autoritetet janë duke punuar për të rikthyer energjinë deri në mbrëmje, ndërsa situata mbetet shqetësuese në disa rajone.

Ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, shpalli gjendje emergjence në disa rajone kyçe, përfshirë Andaluzinë, Extremaduran, Murcin, La Riojan dhe Madridin, pas ndërprerjes që ka përfshirë një pjesë të madhe të territorit spanjoll.

Mirëpo në Portugali, pas ndërprerjes, energjia është rikthyer për rreth 2.5 milionë klientë, dhe teknikët kanë arritur të rikthejnë furnizimin në 85 nga 89 nënstacionet e prekura, derisa në Spanjë, rikthimi i plotë i energjisë mund të zgjasë deri të martën në mëngjes.

Portugalia, pas një mbledhjeje të kabinetit gjatë natës, shpalli gjithashtu gjendje krize energjetike.

Kryeministri Luis Montenegro bëri të ditur se ndërprerja e energjisë kishte origjinën jashtë territorit portugaz, me shumë gjasa në Spanjë.

“Jemi të informuar për një ndërprerje të përgjithshme në rrjetin elektrik, e cila ka ardhur përmes Spanjës,” tha Montenegro në një fjalim televiziv, duke shtuar se është ngritur një zyrë qeveritare për menaxhimin e krizës.

Ai kërkoi nga qytetarët që të reduktojnë konsumin e energjisë, deri në rikthimin e furnizimit të plotë.

Në një deklaratë, Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, tha se rreth 50% e furnizimit me energji elektrike në Spanjë u rikthye në mesnatë, pas ndërprerjes së papritur që ndodhi më herët gjatë ditës.

Shkaku i ndërprerjes mbetet ende i paqartë, por autoritetet kanë njoftuar se ngjarja ka ndodhur kur janë humbur papritur 15 gigavat energji brenda një periudhe vetëm pesë sekondash, një ngjarje që sipas Sánchez është “diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë”.

Ai tha se 15 gigavat janë të barabarta me 60% të kërkesës totale të energjisë në atë moment.

Në Spanjë, rikthimi i plotë i energjisë mund të zgjasë deri të martën në mëngjes, por Kryeministri pranoi se ende nuk mund të garantohej një afat i saktë për normalizimin e situatës.

“Disa rajone kanë arritur të rikuperojnë deri në 97% të furnizimit me energji, ndërsa të tjerat janë ende nën 15%,” tha ai.

Shpërndaje në

U Kopjua