Inspektorati i Arsimit ka njoftuar se janë duke trajtuar të gjitha ankesat e parashtruara në lidhje me provimin pranues nga kandidatët që nuk u pranuan në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në një përgjigje për Klan Kosova nga Inspektorati i Arsimit bën të ditur se gjithë kandidatët që kanë paraqitur ankesa do të marrin përgjigje zyrtare mbi shqyrtimin e tyre brenda afateve të përcaktuara.
Aplikantët e Fakultetit të Mjekësisë u mblodhën sot gjatë ditës para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në shenjë proteste, me parullat – “Mos na largoni nga Kosova!”, “Merrni përgjegjësi për gabimet në test!”,“Hetim!”, “Përgjegjësi!”.
Kandidatët që mbetën jashtë listës pranuese në drejtimet e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës po kërkojnë hetim dhe përgjegjësi në raport me pretendimet e tyre për parregullsitë në provimin pranuese, përfshirë këtu edhe keq-formulimet apo gabimet teknike të provimit pranues.