Live

Pas vdekjes së Françeskut, bota pret Papën e ri: A do të jetë ai i pari me ngjyrë apo aziatik?

11:30 / 21 Prill 2025

Nga Kosova Live

Pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut në moshën 88-vjeçare, vëmendja e botës është përqendruar në Vatikan, ku kardinalët janë mbledhur për Konklavën Papnore që do të zgjedhë Papën e ri.

Ai ishte Papa i parë nga Amerika Latine,  një shenjë e një ndryshimi më të gjerë brenda Kishës Katolike? A do të sjellë kjo tani Papën e parë me ngjyrë apo nga Azia?

Më poshtë janë disa nga kandidatët kryesorë:

Kardinali Peter Turkson – Gana
Ish-ipeshkvi i Cape Coast-it, do të ishte Papa i parë me ngjyrë në histori. Ai është dërguar nga Papa Françesku si i dërguar paqeje në Sudanin e Jugut. Turkson është i moderuar në çështjen e marrëdhënieve homoseksuale – duke kritikuar ligjet e ashpra në Afrikë, por edhe duke theksuar rëndësinë e respektimit të mendësisë afrikane. Në konklavën e vitit 2013, ai ishte një ndër favoritët për t’u zgjedhur.

Luis Antonio Tagle – Filipine
Ish-Arqipeshkvi i Manilës, është kandidati kryesor në tregjet e basteve. Si Papa i parë aziatik, do të përfaqësonte rajonin me rritjen më të shpejtë të popullsisë katolike. Tagle është liberal në qëndrimet e tij, duke kritikuar qasjen e ashpër të Kishës ndaj komunitetit LGBTQ+ dhe të divorcuarve, ndërsa është kundër abortit në Filipine.

Pietro Parolin – Itali
Sekretar i Shtetit të Vatikanit dhe një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Papa Françeskut. I njohur si kandidat i “vazhdimësisë”, ai njihet për qëndrime më tradicionale. Ka kritikuar legalizimin e martesave të së njëjtës gjini në Irlandë, ndërsa ka humbur disi mbështetje pas marrëveshjes së diskutueshme të Vatikanit me Kinën në vitin 2018.

Kardinali Peter Erdo – Hungari
Arqipeshkvi i Esztergom-Budapest-it dhe një konservator i thellë, ai do të ishte Papa i dytë nga blloku ish-sovjetik pas Gjon Palit II. Njihet për qëndrime të ashpra ndaj besimtarëve të rimartuar dhe për mbështetjen e figurave që kanë luftuar komunizmin.

José Tolentino de Mendonça – Portugali
Nga Madeira, vendlindja e Cristiano Ronaldos, është kandidati më i ri në moshë ndër të përmendurit. Ka shërbyer si kryepeshkop dhe ka role të ndryshme në Vatikan. Ka kërkuar që studiuesit biblikë të lidhen më shumë me botën moderne përmes filmave dhe muzikës.

Matteo Zuppi – Itali
Arqipeshkvi i Bolonjës, i emëruar kardinal nga Papa Françesku në vitin 2019. Është dërguar si emisar paqeje në Ukrainë dhe ka zhvilluar takime me përfaqësues të Kishës Ortodokse Ruse. Është i njohur për angazhim humanitar dhe afërsi me linjën e Papa Françeskut.

Mario Grech – Maltë
Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, më parë ipeshkëv i Gozos. Ka bërë thirrje për një “gjuhë të re” të Kishës përballë çështjeve si divorci dhe marrëdhëniet homoseksuale, megjithatë konsiderohet tradicionalist.

Robert Sarah – Guinea Franceze
Një tjetër pretendent me ngjyrë, por mosha është kundër tij. I shërben Vatikanit që nga koha e Gjon Palit II. Ka shprehur qëndrime të ashpra ndaj ideologjisë gjinore dhe islamit radikal. Është një konservator i thekur dhe shumë i respektuar në qarqet tradicionale.

A do të jetë ky momenti i ndryshimit historik për Kishën Katolike?
Ndërsa bota pret vendimin e Konklavës, spekulimet janë të shumta: a do të zgjidhet një Papa që përfaqëson botën në zhvillim, ndryshimin dhe diversitetin, apo do të triumfojë vijimësia tradicionale? Dita e bardhë nga oxhaku i Kapelës Sistine do të sjellë përgjigjen.

Shpërndaje në

U Kopjua