Partia Demokratike e Kosovës do të diskutojë sot rreth propozimit të LDK-së për qeveri nacionale të tranzicionit.
Kështu ka thënë kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në një përgjigje të martën për Klankosova.tv.
”Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë”.
“Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm”, ka thënë Krasniqi, njofton Klankosova.tv.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një konference për media dje, tha se e sheh si të pamundur bashkëpunimin veç me VV-në, andaj ka ftuar në takim të gjitha partitë politike shqiptare për të diskutuar mbi idenë e tij për qeveri nacionale të tranzicionit.