Faton Peci, deputeti i Listës Guxo, ka thënë se Vetëvendosje i ka bërë të gjitha veprimet e nevojshme që të konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Në një paraqitje për media, ai theksoi se partitë opozitare po pengojnë në konstituimin e Kuvendit.
“Më lejoni të kthehem në kujtesë se si filloi kjo sagë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, fillimisht ishin këto parti politike që e mohuan verfikimin e mandatave një diçka që ishte krejt diçka normale, dhe ceremoniale në aspektin e konfirmimit të mandateve, numrit dhe emrave të përveçëm të secilit prej nesh”.
“E dyta kryeministri në detyrë Albin Kurti ka ftuar në takime konsultative partitë shqiptare, që e kanë të drejtën e nominimit të nënkryetarëve dhe të kryetares të LVV-së, me qëllimin e mirë dhe pozitiv që të kemi Kuvend të konstituuar dhe të futemi në afate kushtetuese për mandatarin e themelimit të Qeverisë, në këtë iniciative pozitive kishte një subjekt që refuzoi pjesëmarrje se duhet marrëveshje politike. LVV ka dërguar një letër në LDK në linjë me kërkesën e tyre, kjo marrëveshje politike nuk u shqyrtua hiç, u refuzua apriori dhe sikurse ftesa për partitë të nominimit të nënkryetarëve nga partitë opozitare edhe ftesa për marrëveshjet politike është refuzuar.
“Kështu që ne kemi bërë të gjitha veprimet e nevojshme, të dobishme, të racionalitetit politik, në mënyrë që të ecim tutje dhe që Kosovës t’i japim institucione duke u bazuar në vullnetin politik të zgjedhjeve të 9 shkurtit”, ka thënë Peci.