Live

Pejani kërcen nga ballkoni për t’iu shmangur policisë, përfundon në një banesë tjetër

16:15 / 10 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Një ngjarje jo fort e zakonshme ka ndodhur gjatë ditës së sotme në qytetin e Pejës.

Në rrugën “Adem Jashari” një person ka pësuar lëndime trupore pasi kishte kërcyer në ballkonin e një banese tjetër në tentativën për të ikur nga policia.

Për rastin në fjalë, Klankosova.tv ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashin, i cili ka thënë se “rreth orës 14:30 zyrtarët policorë kishin shkuar në banesën e një të dyshuari për ta takuar, pasi dyshohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, të cilën e kishte kryer ditë më parë”.

I njëjti shtoi se i dyshuari nuk ua kishte hapur derën zyrtarëve policorë, dhe të njëjtit sapo kishin dalë nga ndërtesa, një qytetar tjetër i kishte njoftuar se i dyshuari kishte rënë nga ballkoni i banesës së tij në një ballkon të banesës tjetër.

Më pas, “zyrtarët policorë kishin shkuar në banesën në fjalë dhe e kishin thirrur autoambulancën për të marrë të dyshuarin, i cili kishte pësuar lëndime të lehta trupore”, shtoi Gashi.

Në fund, Gashi tha se sipas informacioneve të para, i dyshuari është jashtë rrezikut për jetë, dhe po merr tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.

Shpërndaje në

U Kopjua