Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mirëpritur vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump për pezullimin e tarifave ndaj shumicës së vendeve të botës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një deklaratë gjatë natës, Von der Leyen e ka cilësuar vendimin si “një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit të ekonomisë globale”, raportoi The Guardian.
Ajo gjithashtu riktheu idenë e një marrëveshjeje tregtare me tarifa zero ndërmjet Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, duke shfaqur optimizëm për një të ardhme me më pak tensione ekonomike.
“Një tregti pa fërkime dhe me përfitime të ndërsjella”, ishte shprehja e përdorur nga Von der Leyen për të përshkruar vizionin e saj për marrëdhëniet tregtare transatlantike.
Ndërkohë, nga Zyra Ovale, presidenti Trump nuk i ka kursyer komentet që ndërlidhin politikën tregtare me praninë ushtarake të SHBA-së në Evropë.
I pyetur për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga kontinenti evropian, ai ka deklaruar se: “Po, mund të ndodhë. Dua të them, varet. Ne paguajmë për ushtrinë në Evropë. Ju e dini, nuk na rimbursojnë shumë… Kështu që do të jetë një nga gjërat që do të diskutojmë, edhe pse nuk ka lidhje me tregtinë, por mendoj se do ta bëjmë pjesë të saj, sepse ka sens, do të ishte mirë të përfshihej e gjitha në një paketë për çdo vend. Pra, është më e pastër”.
Këto komente pritet të ndezin debat rreth sigurisë në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku disa shtete si Polonia dhe Rumania janë shprehur të shqetësuara pas raportimeve se SHBA mund të tërheqë deri në 10,000 trupa nga rajoni.
Në një deklaratë tjetër aspak qetësuese, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, theksoi: “Personi i vetëm që do të marrë vendimin për strukturën e forcave të trupave amerikane në Evropë do të jetë presidenti Trump|”.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë diskutimet strategjike për vendosjen e trupave, duke përfshirë edhe ndikimin e mundshëm të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Ne do të vazhdojmë të kemi diskutime të vazhdueshme, përfshirë edhe në kontekstin e negociatave Ukrainë-Rusi, për atë se si duhet të jetë pozicionimi ynë ushtarak në kontinent që të adresojë më së miri interesat amerikane dhe të sigurojë ndarjen e barrës në Evropë”, tha presidenti amerikan.
Këto zhvillime ndodhin pikërisht në kohën kur përfaqësuesit e “Koalicionit të të Gatshmëve” po mblidhen në Bruksel për të diskutuar strategjitë e ardhshme në mbështetje të Ukrainës dhe sigurisë në Evropë.